Shqipëria

Koncerti i Rita Orës me mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare


Pak orë para koncertit, Rita Ora është pritur në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Të dy kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen këtij eventi, që do të festojë Tiranën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Rita Ora është rikthyer në Tiranë. Këtë vit, Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ka thënë Veliaj.

Ai e ka falënderuar këngëtaren për shembullin pozitiv që u jep të rinjve dhe të rejave shqiptare. Dhe se ajo, sipas tij, është shembulli se si përmes punës dhe sakrificës arrihen gjërat e mëdha në jetë.

Nisur nga ngjarja e fundit në Kosovë, e abuzimit të një vajze 11-vjeçare, koncerti i Rita Orës do të përcjellë një mesazh sensibilizues për shoqërinë shqiptare, për të respektuar më shumë gratë dhe vajzat.

“Misioni yt, misioni i familjes tënde, për të pasur një komunikim të vazhdueshëm se si djemtë në Shqipëri dhe në Kosovë t’i respektojnë më shumë vajzat, se si të rinjtë të besojnë te talenti i tyre me punë, me djersë, me përpjekje, është një mesazh edhe për imazhin e Shqipërisë dhe imazhin e Kosovës”, ka vijuar Veliaj.

Kurse Rita Ora është shprehur krenare për origjinën e saj shqiptare dhe siguroi se nuk do të ndalet së promovuari atë.

“Kur vij këtu dua të sjell me vete frymëzim dhe argëtim, dhe gjithmonë kam bërë maksimumin. Nuk ka rëndësi nga vjen, kush je, je burrë apo grua, ndjesia është e tillë që, nëse ti je krenar për prejardhjen, ajo që mund të bësh është ta bësh të njohur vendlindjen tënde. E kam besuar gjithmonë këtë dhe prindërit e mi ma kanë thënë çdo herë. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë derisa të jem gjallë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore