Auto

Koncepti Renault 4, ‘dhomë hoteli në qiell të hapur’


Për 60-vjetorin, Renault 4 erdhi me një ridizajnim të origjinalit, të frymëzuar nga një “suitë hoteli nomad”.

Kështu ka shkruar faqja e makinave, “Autocar”.

Nën emrin Suite N°4, kjo Renault është realizuar me ndihmën e stilistit francez, Mathieu Lehanneur, me sfidën për të risjellë modelin e vjetër.

Pjesa e pasme e makinës është zëvendësuar nga xhamat e polikarbonatit, duke krijuar atë që Lehanneur e quan “një dhomë hoteli në qiell të hapur”.

Ndërkaq, vetë kompania ka treguar se ky dizajn i ngjashëm me origjinalin i siguron pjesës së pasme të makinës “ndriçim të barabartë me atë të studios së një artisti”.

Suite N°4 është konvertuar në një makinë elektrike, me një grup panelesh diellore transparente në çati që ndihmojnë në karikimin e makinës.

Gjithashtu është vendosur një grilë e re e lëmuar prej alumini dhe trupi është i veshur me tre shtresa bojë për ta bërë atë të duket si çimento që për Renault është “një material sinonim i arkitekturës moderne”.

Brenda, sediljet janë të veshura me kadife të verdhë, me dyshemenë e bagazhit të modeluar me fibra natyrale.

Kurse një sirtar prej druri i lëvizshëm shtrihet nga prapakolpi për të siguruar ndenjësen kur pjesa e pasme është e hapur.

Paçka ridizajnimit radikal, Suite N°4 ka të njëjtat dimensione si Renault 4 klasik mbi të cilin është ndërtuar.

Lehanneur e përshkruan atë si “më të mirë se suita më e mirë, makina është pikërisht aty ku dëshironi të jetë, qoftë buzë detit, në mes të një fushe apo vozitje nëpër qytetin që keni ëndërruar gjithmonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore