Lajme

Komuna e Prishtinës strategji 10-pikëshe për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë


Qentë endacak në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur përmes njoftimit se kanë hartuar strategjinë kornizë 10-pikëshe për trajtimin e qenve endacakë.

Ndërsa është thënë se ka shpenzuar buxhet dhjetëfish më shume se vitin e kaluar për qentë endacakë.

“Është nënshkruar në fillim te vitit marrëveshja me operatorë të jashtëm ekonomik për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar. Jemi afër përfundimit të procesit të tenderimit të 7 lloteve (rreth 350 mijë euro) për trajtimin e qenve endacakë. Pra, tani e tutje nuk do të ketë kufizime si më parë, por do të trajtohen të gjithë qentë endacakë”.

“Kemi organizuar në fillim të vitit tryezë të rrumbullakët për qentë endacakë, në të cilën kanë marrë pjesë të gjithë akterët që kanë të bëjnë me këtë çështje: niveli lokal e qendror, Asociacioni i Komunave të Kosovës, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile, ekspertët ndërkombëtarë, etj”.

Po ashtu, është nënshkruar vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në çështjen e qenve endacakë, në mënyrë që të na mundësojë që në raste të caktuara dhe emergjente të mund të veprojnë më shpejtë.

Komuna e Prishtinës.

Ndër të tjera njoftohet se kanë ngritur pikata ushqyese nga 5 në 23 pika, të cilat janë vendosur kryesisht në pikat me koncentrim më të madh të qenve endacakë dhe në rrugët hyrëse në kryeqytet.

Gjithashtu, është formuar TASK-FORCA e brendshme komunale për trajtimin e qenve endacakë.

Komuna thotë se kanë themeluar grupin punues me akterë nga jashtë, siç janë MAPL, MBPZHR, PK, AKK, AUVK, organizata e veterinerëve, shoqëria civile.

“Jemi në proces të dizajnimit të mënyrës së monitorimit të gjithë veprimtarisë sonë në këtë çështje nga ana e sektorit jo-qeveritar, për çfarë edhe do të nënshkruajmë një memorandum të bashkëpunimit. Është në proces të tenderimit ndërtimi i qendrës për trajtimin e qenve, e filluar por e parealizuar nga qeverisja e kaluar, për shkak të problemeve teknike”.

Është bërë i ditur edhe buxheti që është shfrytëzuar për të rregulluar problemin e qenëve endacak në Prishtinë.

“Mjetet financiare të alokuara apo të planifikuara për vitin 2022: Realizimi i kontratës në vlerë prej 50,000.00€ – tanimë janë trajtuar 700 qenë endacakë; Realizimi i projektit për 23 pikat ushqyese në vlerë prej 70,000.00€, i paraparë të realizohet tërësisht në kuadër të këtij viti kalendarik; Ndërtimi i Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë, i cili është në procedurë të prokurimit, në vlerë prej 249,000.00€”.

“Trajtimi i qenve endacakë në 7 lote, me metodën KSVL, i cili është në procedurë të vlerësimit, në vlerë prej 350,000.00€; Vendosja e mikroçipave për qentë endacakë, në vlerë prej 34,000.00€, tani në procedurë. Vlera totale e mjeteve të shpenzuara dhe të zotuara për këtë vit është 753,000.00€”.

Me 19 maj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se do të miratojnë strategjinë kombëtare për trajtimin e çështjes së qenve endacak.

Ndryshe, më 18 shkurt të këtij viti, kryetari i Komunës, Përparim Rama miratoi vendimin për formimin e grupit punues për trajtimin e qenve endacakë në Prishtinë.

Ndërsa, projekti për pikat ushqyese është nisur fillimisht nga qeverisja e Shpend Ahmetit, në fillim të vitit 2021.

Komuna e Prishtinës në fund të vitit 2020 ka nënshkruar kontratë me vlerë mbi 100 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore