Lajme

Komuna e Prishtinës: Nga e mërkura qytetarët mund të furnizohen me insulinë


Ilustrim

Ka rreth tre muaj që në institucionet publike shëndetësore ka pasur mungesë të insulinës. Mirëpo, nga e mërkura, qytetarët e Prishtinës do të mund të furnizohen me Insulinë në Barnatoren kryesore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të kryeqytetit.

Në njoftimin e bërë nga Komuna e Prishtinës thuhet se, qytetarët do të mund të furnizohen nga ora 11:00.

“Komuna e Prishtinës ka kënaqësinë të ju njoftoj se që nga nesër me datë 7 korrik 2021, qytetarët e Prishtinës do të mund të furnizohen me Insulinë. Furnizimi mund të bëhet vetëm në Barnatoren kryesore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftimin e bërë për media.

Përveç komunës së Prishtinës, nuk dihet se a kanë furnizim me insulinë edhe komunat e tjera.

“Komuna e Prishtinës është ndër të parat që ka arritur furnizimin me Insulinë për banorët e saj”.

Tutje në njoftim sqarohet se “kontrata për furnizimin me Insulinë është realizuar nga Komuna, ndërsa sasia e siguruar pritet të mbulojë nevojat e të gjithë banorëve të Prishtinës për pesë muajt e ardhshëm”.

Ndryshe, qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë përballur me mungesën e insulinave, ku për këtë janë detyruar të shkojnë jashtë vendi për tu furnizuar me to. Kurse nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se marrëveshja për insulina është në fazën e fundit.

Në mbarë botën 425 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë. Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: trashëgimia, apo personat me histori familjare, moshat mbi 40 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhan pirja, tensioni i lartë i gjakut, si dhe faktorë tjerë.

Diabeti njihet si sëmundje mjaft e shpeshtë dhe konsiderohet si sëmundja numër tre në botë. Për pasojë, ajo godet edhe disa nga organet vitale të njeriut, si veshkat, zemrën, të pamurit e të tjera.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore