Lajme

Komuna e Obiliqit fiton rastin në Gjykatën Themelore, banorët do të paguajnë më lirë energjinë elektrike


Komuna e Obiliqit

Se ju takon të shpenzojnë energjinë elektrike më lirë, banorët e Komunës së Obiliqit tani edhe ligjërisht mund ta aplikoj këtë të drejtë.

Gjykata themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të pezulloj vendimin e ZRrE-së për shtrenjtim të tarifës së energjisë elektrike për këtë qytet.

Vendimi është nxjerrë më 27 maj nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai bazohet në të drejtën e paraparë me Ligjin për Obiliqin për një tarifë më të ulët të energjisë për qytetarët e Obiliqit.

“Aprovohet kërkesa e paditësit- propozuesit, Komuna e Obiliqit, si e bazuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Padia të cilën e ka fituar pjesërisht Komuna e Obiliqit i referohet nenit 8. 2.1 të Ligjit për Obiliqin.

“Një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike”, thuhet në Ligj.

Gjykata e ka vendosur që të pezullohet vendimi për shtrenjtim të tarifave të datës 8 shkurt të këtij viti deri në një vendim përfundimtarë të Gjykatës.

Komuna e Obiliqit ka kërkuar nga Gjykata që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së në Prishtinë, i datës 8 shkurt të këtij viti, deri në përfundim të procedurës gjyqësore sipas padisë së ushtruar në Gjykatë, lidhur me këtë çështje.

Komuna e Obiliqit në vazhdimësi ka kërkuar që të respektohet Ligji për Obiliqin i cili tash e pesë vjet është në fuqi për tarifa më të ulëta për qytetarët e kësaj komune.

Çka thotë Ligji për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij?

Neni tetë i këtij ligji, shpjegon “Masat shtesë për përmirësimin e jetës së banorëve të Zonës së Veçantë”, meqë kjo komunë është shpallur zonë e rrezikut, me status të veçantë mjedisor për shkak të afërsisë së termocentraleve.

  1. Qeveria në bashkëpunim me Komunën, krijon lehtësira të vazhdueshme për banorët e Zonës së Veçantë,
  2. Qeveria në bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit te Energjisë siguron:

2.1. një kuotë më të ulët të çmimit për energji elektrike,

2.2. furnizim të rregullt me energji elektrike për banorët e zonës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore