Libra

Kompleti prej 13 vëllimesh “Anton Çetta” pjesë e koleksionit të Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë


Kompleti prej 13 vëllimesh nga Anton Çetta, është bërë pjesë e koleksionit të pasur të Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë, në Mynih të Gjermanisë.

Përmes një postimi në Facebook, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Mynih, ka treguar se në mesin e 10 mijë librave me temë mbi Kosovën, tani studiuesit mund të gjejnë edhe këtë thesar të çmuar të trashëgimisë shpirtërore shqiptare të botuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës.

 

Drejtori Gjeneral i kësaj biblioteke, Dr, Klaus Ceynowa, është takuar me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, në Mynih, z. Afrim Nura.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe vajza e prof. Anton Çettës, znj. Agata Çetta, ideja dhe dëshira e të cilës për dhurimin e këtij vëllimi u realizua duke e përjetësuar kështu, në këtë bibliotekë të përmasave botërore, prof. Anton Çettën.

 

Po ashtu z. Nura tregoi se kërkesa e Konsullit të Përgjithshëm për bashkëpunim në mes të Bibliotekës Shtetërore Bavareze dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nga Dr. Ceynowa është pranuar me kënaqësi.

“Nga tani Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka dyert e hapura për vendosje dhe konkretizim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në shkëmbim të personelit, të koleksioneve, digjitalizim, restaurim e konservim, por edhe në organizime të përbashkëta të promovimeve dhe ekspozitave të ndryshme kulturore dhe shkencore”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore