Lajme

Kompanitë në Kinë po luftojnë për të përmbushur kërkesën në rritje për avionë privatë


Në Kinë, pasagjerëve të pasur u duhet të rezervojnë avionë privatë javë më parë teksa kompanitë luftojnë për të përmbushur kërkesën në rritje pas daljes së vendit nga politika zero-COVID.

Vendimi i Pekinit në fund të vitit të kaluar për të hequr karantinën e detyrueshme dhe për të rihapur kufijtë, duke u larguar nga kufizimet e mëparshme, ka ndezur një përleshje për avionët privatë, në një jehonë të zhurmës për fluturimet private që shihen në tregje të tjera gjatë pandemisë.

Numri i fluturimeve vendase dhe ndërkombëtare të kryera me avionë privatë nga Kina kontinentale ishte 32 për qind më i lartë në janar krahasuar me vitin e kaluar dhe 10 për qind më i lartë se nivelet para pandemisë në vitin 2019.

Po ashtu kërkesa për avionë privatë është nxitur gjithashtu nga rihapja e ngadaltë e shërbimeve tregtare ndërkombëtare midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës, ndërsa disa nga të pasurit e vendit shitën avionët e tyre privatë gjatë pandemisë.

Asian Sky Group, i cili ofron shërbime të ndërmjetësimit me qira të avionëve privatë për klientët e pasur, ka treguar se avionët në Kinë po përballen dukshëm me disponueshmëri “të ngushtë” pas rihapjes së kufijve.

Disponueshmëria është gjithashtu e ngushtë në rrugët e brendshme të përdorura shumë.

Kina ende nuk ofron viza turistike. Me udhëtimet hyrëse të ulëta, shumë transportues komercialë ofrojnë vetëm lidhje të kufizuara me Kinën, duke shtuar kërkesën për avionë privatë.

Sipas Jolie Howard, shefe ekzekutive e shërbimit L’voyage me bazë në Hong Kong, ka thënë se “familjet e pasura të gjeneratës së dytë dhe të tretë”, si dhe sipërmarrësit e teknologjisë, janë klientët kryesorë.

Me rezervimet deri në prill, ka një kërkesë të lartë për fluturime me distanca të gjata, sipas saj.

Klientët tani duhet të rezervojnë javë më parë për të siguruar një fluturim në rrugët e kërkuara ku rezervimet mund të bëheshin më parë vetëm ditë përpara.

Shumë njerëz të pasur në Kinë shitën avionët e tyre privatë vitin e kaluar, sipas Howard, duke përfituar nga çmimet e favorshme gjatë pandemisë teksa kërkesa globale për avionë privatë të përdorur u rrit.

Numri i avionëve privatë në Kinën kontinentale ra nga 345 në fund të vitit 2020 në 301 deri në fund të vitit të kaluar.

Në përgjithësi, Kina mbetet një treg relativisht i vogël për avionët privatë në krahasim me SHBA-të, ku shifrat e industrisë sugjerojnë se ka deri në 15 mijë.

Disa prodhues të avionëve të biznesit janë gjithashtu optimistë për tregun kinez.

Bombardier, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të avionëve privatë, ka thënë se Kina mbeti një treg i rëndësishëm pas pandemisë “me shumë hapësirë për rritje si në shitjet e avionëve tanë ashtu edhe në shërbimet pas tregut për pronarët ekzistues”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore