Lajme

Kompania spanjolle që furnizon Ukrainën me armë, merr një pako të dyshimtë


Një pako që përmbante atë që besohet se ishte një mjet shpërthyes është marrë të mërkurën nga kompania spanjolle “Instalaza”, e cila prodhon armë që qeveria spanjolle po dërgon në Ukrainë për të ndihmuar në luftimin e forcave ruse.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta katalonase “El Periodico”.

Pasditen e së mërkurës, policia e Aragonës dhe ‘Guarda Civil’ morën një raport nga Instalaza për një pako të dyshimtë me karakteristika të ngjashme me atë të dërguar në Ambasadën e Ukrainës në Spanjë.

Në ndërmarrje u dërgua një forcë e madhe policie, u rrethua territori i uzinës, si dhe u bllokua lëvizja e automjeteve dhe këmbësorëve në rrugët aty pranë.

Në mbrëmje, ekspertët hodhën në erë pakon në mënyrë të kontrolluar, operacioni përfundoi pa asnjë të dëmtuar.

Policia filloi mbledhjen e provave fizike për të analizuar përmbajtjen e pakos.

“Instalaza” është një kompani me bazë në Zaragoza që ka projektuar dhe prodhuar pajisje ushtarake të këmbësorisë që nga viti 1943.

Në veçanti, Instalaza prodhon granatahedhës antitank të përdorur nga ushtria ukrainase në luftën me Rusinë.

Në fillim të luftës, Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margareta Robles, njoftoi se Kievi do të merrte 1 mijë e 370 instalime të tilla.

Kujtojmë se pasditen e së mërkurës u bë e ditur se një punonjës i Ambasadës së Ukrainës në Madrid ka marrë lëndime të lehta si pasojë e një shpërthimi në ambientet e ambasadës.

Bëhet e ditur se në Spanjë ngjarja është cilësuar më parë si krim terrorist.

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, më pas udhëzoi që të forcohej menjëherë siguria e të gjitha ambasadave ukrainase jashtë vendit dhe gjithashtu i bëri thirrje kolegut të tij spanjoll të marrë masa urgjente për të hetuar sulmin ndaj misionit diplomatik ukrainas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore