Shqipëria

Komiteti Teknik i Ekspertëve: Rritje të rasteve me COVID-19, vaksinohuni dhe mbani maska


Pas rritjes së rasteve me COVID-19, të mërkurën e 6 korrikut – rreth tre muaj nga mbledhja e fundit – është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri.

Që në krye të fjalës, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, u bëri thirrje të gjithëve që të marrin dozat e vaksinës dhe të mbajnë maska në ambientet e mbyllura, teksa publikoi dhe shifrat e vaksinimit të të gjithë popullatës.

Po ashtu, ajo ka thënë se në Evropë dhe botë po përhapet me shpejtësi një nënvariant i Omicron-it, i quajtur BA5.

Bino ka bërë apel për vaksinimin e personave mbi 60 vjeç, me dozën e tretë.

“Personat mbi 60 vjeç, që kanë kryer vaksinimin primar me dy doza, duhet të vrapojnë të kryejnë dozën e tretë. Të mos merren me diskutime jo e kam kaluar një herë infeksionin, jemi shumë të qartë për mbrojtjen imunitare që lë infeksioni natyror nuk është mbrojtje që zgjat. Çdo person, që ka kaluar më tepër se një muaj nga kalimi i infeksionit, duhet të bëjë dozën e tretë, nuk ka asnjë diskutim për këtë gjë”.

Gjithashtu, ajo ka vënë theksin edhe për personat, të cilët nuk kanë kryer asnjë dozë, se “është urgjencë që ta kryejnë, sepse bëhen rrezik për të tjerët”.

“Ata që s’kanë bërë dozën e parë duhet ta kuptojnë që bëhen risk tepër i madh për personat që janë vaksinuar dhe dëmtojnë të tjerët”.

Ndër të tjera, ajo tha se për të parandaluar vdekjet dhe shtrimet në spital, në këtë periudhë që jemi, vaksinimi është i rëndësishëm.

“Përqindja e vaksinimit me dozë të parë ka pësuar rënie, vaksinimi me dozë të tretë ka shënuar një rritje të lehtë”, tha ajo.

Sipas saj, përqindja e vaksinimit në popullatën adulte është 60.8% me një dozë, 57% me dy doza.

“Për popullatën adulte kemi një mbulesë vaksinale 57%. Edhe këtu vaksinimi mbetet 12.4% Për të gjithë popullatën është 40.9% ndërsa me dy doza është 46%. Ndërsa vaksinimi me dozën e tretë 10%”.

Gjatë mbledhjes, edhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomi, theksoi se dy javët e fundit ka një rritje të rasteve dhe po pasqyrohet dhe më rritjen e përqindjes të pozitivitetit dhe atyre që kërkon shtrim spitalor.

“Në 90% të bashkive kemi raste aktive dhe popullata duhet të ndërgjegjësohet për vaksinim me dozë të tretë dhe të katërt”.

Ndërsa, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha në konferencë se në Shqipëri nënvariantet e reja të Omicron-it kanë rritur numrit e të infektuarve.

“Kjo si rezultat i qarkullimit të nënvarianteve të Omicron që është i njohur për shkallën e lartë të infektueshmërisë”.

Sakaq Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, tha se është rritur numri i të sëmurëve me COVID-19 që kërkojnë ndihmë në spitale.

Ajo u shpreh se pjesa më e madhe e pacientëve janë të pavaksinuar.

“Në javët e para të muajit qershor kishim ulje të numrit të pacientëve në spitale. Në dy javët e fundit shohim shtim të numrit të pacientëve që vijnë për të kërkuar ndihmë. Së paku 5-6 pacientë në ditë. Janë persona të pavaksinuar, me vaksinë të lënë në mes dhe ata që kanë bërë vaksinimin e hershëm”.

Edhe Çomo e vuri theksin te doza e tretë “që është e domosdoshme”.

“Temperaturat e larta s’e kanë ulur numrin e të sëmurëve, është shtuar numri. Mbi 62 vjeç është mosha më e prekur, por ka edhe mosha të reja”.

Në përmbyllje, Komiteti rekomandoi mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, “aty ku nuk mund të ruhet distancimi social, sidomos për personat që janë të sëmurë dhe të moshuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore