Lajme

Komiteti i Stabilizim-Asocimit i bën thirrje Qeverisë të bashkëpunojë me opozitën për dialogun Kosovë-Serbi


Ilustrim

Në formë virtual është mbajtur të enjten e 28 tetorit mbledhja pestë e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës.

Komisioni ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të punojë së bashku me të gjitha subjektet politike në Kuvend, përfshirë edhe opozitën, në mënyrë që të forcojë më tej konsensusin politik për vendimet që kanë të bëjnë me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane si dhe Dialogun Kosovë-Serbi.

Agjenda për Reforma Evropiane dhe Programi për Reforma në Ekonomi, kanë qenë pjesë e diskutimeve ku edhe janë bërë vlerësimet e përparimit në fushat relevante të cilat luajnë një rol të rëndësishëm si udhërrëfyes i përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së.

Në këtë takim të Komitetit të Stabilizim-Asociimit është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike ku është vlerësuar edhe gjendja në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, përafrimin me standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Prioritet mbetet reforma në një sërë fushash, përfshirë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike, konkurrencën dhe klimën e investimeve, si dhe punësimin dhe arsimin u tha mes tjerash në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, thuhet në njoftim të zyrës së kryeministrit.

“Komisioni përshëndeti në veçanti nisjen e fazës së dytë të Agjendës për Reformave Evropiane (ERA) dhe miratimin e Planit përkatës të Veprimit, dhe inkurajoi zbatimin efektiv të tyre”.

Ilustrim

Në këtë frymë, Komisioni nënvizoi gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë me ofrimin e këshillave për të shmangur papajtueshmëritë me standardet dhe acquis të BE-së në përpjekjet e Qeverisë për reforma”, thuhet në njoftimin.

Në këtë mbledhje janë miratuar rezultatet e mbledhjeve të shtatë nën-komiteteve dhe një grupi të veçantë, të mbajtura gjatë vitit të kaluar.

Nga Kosova në këtë takim ma marrë pjesë zëvendëskryeministëri për Integrim Evropian, Besnik Bislimi i cili është i ngarkuar edhe me dialogun Kosovë-Serbi ndërsa nga BE,  Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Mbledhje u kryesua nga Maragos dhe Artan Çollaku, Drejtor i Zyrës së Koordinimit të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore