Lajme

Komisioni përpilon listën e dokumentacionit për hetim në sektorin e energjisë


Komisioni parlamentar për hetimin e keqpërdorimeve me energjinë elektrike, nga viti 2006

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, të mërkurën e 1 qershorit, në mbledhjen e rregullt, ka përpiluar listën e dokumentacionit për hetim.

Kryesuesi i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se Komisioni do t’i hetojë të gjitha dokumentet e nevojshme qofshin ato vendime ose kontrata nga viti 2006 e deri më tash në sektorin e energjisë.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka kërkuar nga Kuvendi transkriptin e deklaratës në një seancë parlamentare të deputetes së Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, lidhur siç tha ai me projektin specifik “Bilfinger”.

Ndryshe të martën e 17 majit, është konstituar Komisioni parlamentar për hetimin e keqpërdorimeve me energjinë elektrike, nga viti 2006 deri në ditët e sotshëm, i cili ishte kërkesë eksplicite e partisë mazhoritare – Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa më 16 maj ishte konstituar komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, kërkesë kjo e partive opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore