Lajme

Komisioni për Shëndetësi viziton të mërkurën Kaçanikun dhe Hanin e Elezit


Komisioni për Shëndetësi.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, të martën ka diskutuar për rastet e helmimit të banorëve në komunën Kaçanikut dhe asaj të Hanit të Elezit.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku, propozoi që si komision t’i vizitojnë këto komuna për të parë masat e ndërmarra.

“Mendoj që ne si komision të aranzhojmë një vizitë në Kaçanik dhe Han të Elezit dhe të shohim masat që janë marrë. Të gjithë kanë marrë trajtim dhe janë në shtëpi. Duhet ta dinë që kemi institucione. Çdo kërkesë që kanë bërë është adresuar, por për çështjen e ujit s’kemi raporte të shkaktarit. Ajo çka na takon neve është aspekti shëndetësor”, ka thënë Kollçaku.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, deklaroi se e kanë obligim që ta ngrisin zërin ndaj institucioneve në mënyrë që të merren hapat e duhur.

“Në Kaçanik para pak ditësh ka ndodh një helmim i banorëve në disa zona, që po vjen nga kontaminimi i ujit. Akoma ne vitin 2022 ka ujësjellës që janë lënë nga mos-menaxhimi. E kemi obligim që të ngrisim zërin karshi institucioneve të marrim hapa të duhur”.

“Po konsideroj që të diskutojmë për hapat e mëtutjeshëm dhe të monitorojmë situatën duke komunikuar me ministrin e shëndetësisë. Ministria e shëndetësisë ka reaguar në kohë dhe iu ka hap derën në kërkimin e nevojave që kanë edhe me staf mbështetës që a përballojnë këtë krize”, u shpreh ai.

Komisioni për Shëndetësi.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka rikujtuar rastin e Deçanit dhe mungesat me të cilat ishin ballafaquar.

“E njëjta situatë ka qenë edhe në Deçan dhe ministria nuk ka arritur t’i furnizojë me infuzione. Gjendja në klinikë mund të derivojë nga kjo situatë. Dhe problemi tjetër me ndërprerje të energjisë ka qenë jashtë përdorimit. Mungesa e infuzioneve është tregues më i mirë në menaxhimin e këtij sektori. Instituti duhet të bëjë punën e tyre”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka shprehur shqetësimet e tij edhe për menaxhimin e COVID-19.

“Shqetësimi që ngriti kolegu është i gjithë neve. Nuk mund të fajësojmë investimet sepse arsyet nuk i ka nxjerrë instituti. Dyshimet e drejtoreshës është se uji është kontaminuar. Dhe po bëhen dy javë dhe duhet të shikohet se a janë marrë masat më kohë. Situata me Covid është brengosëse sepse janë shënuar dy viktima sot. Numri i vaksinimeve ka qenë zero. Me këtë nivel të vaksinimi është rrezik për popullatën. Ka pasur strategji sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm”.

Nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj u tha se është momenti që ministri të japë llogari për këto probleme.

“Situata nuk është e mirë. Kemi marrë këtë post me përkushtim që shëndetësia është prioritet i qeverisë. I patëm helmimet në Deçan, tash në Han të Elezit, vërshimi i onkologjisë. Asnjë veprim mos pranimi i personelit. Vala e re e Covidit në prag”.

Madje, ai ka përmendur edhe largimin e mjekëve nga Kosova.

“Ligji i pagave askund. 200 mjekë e kanë lëshuar Kosovën. Listat e pritjes janë zero. Këto janë afera në të keq të vendit. Ka ardhur koha që ministri të japë llogari sepse diçka nuk është duke shkuar si duhet. Këtu ka nevojë të identifikojmë problemet dhe të marrim veprimet në të mirë të qytetarëve”.

Ndryshe, deri të martën e 12 korrikut, 190 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në komunën e Hanit të Elezit, si pasojë e një helmimi që dyshohet se ka ardhur nga uji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore