Shqipëria

Komisioni për Reformën Zgjedhore, Balla: Ngritja e tij është në shina


“Ngritja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është në shina. Jemi dakordësuar për përbërjen, anëtarët dhe elementet ku ne do të vazhdojmë në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR”.

Kështu është shprehur kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një takimi me gazetarët paraditen e 27 dhjetorit, për sa i përket ngritjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Balla deklaroi se, gjatë punimeve të sesionit të ardhshëm, do të ketë një punë intensive nga ana e përfaqësuesve në çuarjen përpara të Reformës Zgjedhore.

Sipas tij, kjo do të bëhet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

Gjithashtu ai u ndal edhe te puna për sa i përket “Buxhetit 2022” dhe Bashkëqeverisje – të dyja të kthyera në Kuvend nga Presidenti i Republikës.

“Është buxheti më i madh në historinë e 30 viteve të fundit. Nuk prisnim që opozita të votonte buxhetin apo paketën fiskale, janë ndarje tradicionale historike mes shumicës e pakicës. Gjatë këtij sesioni, një ligj që do ta nënvizoja për nga rëndësia është Bashkëqeverisja, e cila do të rrisë transparencën”.

Ndër të tjera, Balla u ndal dhe te një nismë, e cila ka të bëjë me krijimin e regjistrit të personave që kanë kryer vepra kriminale me bazë gjinore e iniciuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Ajo që doja t’ju vija në dukje, janë 31 ligje të miratuara, 13 me konsensus nga dy palët në Kuvend”, shtoi më tej kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Ndërsa nuk la pa harruar edhe zgjatjen e organeve të vetting-ut, e cila ka ardhur si kërkesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Nevoja për të çuar përpara reformën më të rëndësishme të këtyre 30 viteve, duke qenë se të gjithë përshëndesim aksionet e përditshme të SPAK-ut, duhet të jetë dhe busulla orientuese për secilin nga ne që, kur të ulemi në sesionin e ardhshëm, ta ndiejmë si detyrë ndaj shqiptarëve për të çuar përpara procesin e vetting-ut”.

Sipas Ballës, kjo e fundit “na ka mundësuar të kemi prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Balla ravijëzoi se, “harmonizimi i qëndrimeve ka një vlerë të rëndësishme dhe që duhet të ndiqet nga të gjithë ne, në mënyrë rigoroze. Edhe me grupin e Partisë Demokratike, të paktën për çështje që lidhen me interesin kombëtar, si ai me Kosovën, nuk duhet të kemi ndasi”, ishte mesazhi i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore