Lajme

Komisioni nuk e miraton kërkesën që ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional të kalojë për shqyrtim


Komisionin Parlamentar për Buxhet.

Partia Demokratike e Kosovës në Komisionin Parlamentar për Buxhet ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe që ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional të kalojë për shqyrtim nga pika e tetë e rendit të ditës në të dytën.

Por, Komisioni nuk e ka miratuar kërkesën.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka iniciuar një ndryshim të këtij ligji duke kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e një sasie nga Trusti për të tejkaluar krizën ekonomike.

Qeveria ka dalë kundër propozimit, ndërsa Haxhiu është ankuar për vonesa nga komisioni.

Ndaj një propozimi të tillë kundër kanë dalur edhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili e ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale ka thënë për Albanian Post se të mërkurën e 25 majit do të diskutohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Trusti.

“Projektligji i është shpërndarë deputetëve me 27 Prill dhe afati për trajtim të tij në lexim të parë në seancë është jo më larg se 28 ditë nga dita që u është shpërndarë deputetëve, kjo do të thotë data 25 maj është data kur Projektligji duhet të trajtohet në Kuvend”, tha Haxhiu.

Të enjten është paralajmëruar protestë nga një grup qytetarësh që po kërkojnë t’u mundësohet kjo tërheqje.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati potencuar se që tërheqja e parave nga Trusti nuk e zgjidh problemin e qytetarëve.

“Kemi thënë edhe më herët edhe si opozitë në 2020, edhe 2021 në qeveri me Pakon e Ringjalljes Ekonomike e zbusim krizën, mirëpo nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjedhim problemin”, kishte theksuar Kurti.

Sipas tij, edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues. Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore