Shqipëria

Komisioni i Rithemelimit: Refuzimi i përfaqësuesit ligjor në KQZ, shkelje e Kushtetutës


“Edi Rama dhe Lulzim Brava janë një!”.

Komisioni i ashtuquajtur i Rithemelimit përmes një deklarate të dielën e 23 janarit ka reaguar lidhur me refuzimin e Komsionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të përfaqësuesit tyre.

“Dje, Celibashi i narkopartisë me urdhër të kreut të meduzës Edvin Rama refuzoi përfaqësuesin legjitim të PD në KQZ dhe pranoi përfaqësuesin e Peng Bashës duke shkelur kështu rëndë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Sipas tyre, “me këtë akt antiligjor antikushtetues Edi Rama thellon më tej qëndrimin e tij monist dhe kundër pluralizmit politik”.

“Duke pranuar përfaqësuesin e Peng Bravës në KQZ Edvin Kristaq Koleka dëshmon urrejtjen atërore ndaj pluralizmit të vërtetë politik. Me këtë rast paralajmërojmë Edvin Ramën se për këtë akt të ri armiqësor ndaj PD, me asnjë manovër antidemokratike nuk do mund të pengojë fitoren më 6 mars të PD -së dhe aleatëve të saj”.

Përplasja e PD

Përplasja e radhës e Partisë Demokratike ka ardhur këtë herë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku u mbajt edhe seanca e parë për nisjen e procesit të pjesshëm zgjedhor në gjashtë bashki të vendit.

Me nisjen e seancës, ka qenë Indrit Sefa, përfaqësues ligjor i PD-së, ai i cili ka kërkuar fjalën. Sefa bëri kryetarin me dijeni se strukturat e demokratëve, kanë vendosur atë si përfaqësues ligjor, së bashku me Marash Logun.

Në këtë detyrë më parë, ka qenë Ivi Kaso, i cili ishte i pranishëm në seancë, por këtë herë si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit.

Vetë Kaso, ka parashtruar përpara Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit, argumentin se Lulzim Basha, është shkarkuar me vendim të Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, më 11 dhjetor 2021. Po ashtu, ai ka thënë se vula dhe logoja e PD-së, janë rifreskuar me vendimet e këtij Kuvendi.

Mirëpo, komisioneri, duke u bazuar edhe në aktet ligjore të KQZ-së, ka parashtruar faktin se raporti mes institucionit zgjedhor dhe partive politike, është tërësisht institucional.

Ndaj, duke qenë se si e tillë, PD-ja e njohur nga institucionet është ajo e Lulzim Bashës, ai ka njohur Sefën si përfaqësues të demokratëve.

Këtë vendim e ka kundërshtuar Kaso, i cili ka kërkuar edhe bazën ligjore mbi të cilën vendimi është marrë.

Bazë ligjore, e cila i është vënë në gatishmëri nga Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore