Shqipëria

Parlamenti Evropian : Ndjekja penale për blerjen e votës kusht për negociatat


Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian (AFET) miratoi të enjten e 4 marsit, raportin  për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve për çeljen e negociatave .

Raporti ngre shqetësimin për akuzat e blerjes së votës dhe thekson se ndjekja penale për këtë çështje është ndër kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 mars 2020.

“Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE / ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar”.

Gjithashtu raporti nënvizon problemet në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme.

“Inkurajohet zbatimi i plotë i rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020 për paketën antishpifje”.

Raporti shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore