Sport

Komisioni i Arbitrar i FBK-së, pranon pjesërisht ankesën e KB Pejës


Komisioni i Arbitrar i Federatës së Basketbollit të Kosovës pas mbledhjeve të mbajtura, ka vendosur që basketbollistit të Pejës Brandon Walters, t’iu hiqet dënimi për mos lojë në dy ndeshje.

Klubi basketbollistik Peja, kishte parashtruar një ankesë në FBK, lidhur me vendimet e Komesarit të Garave, pas incidentit të ndodhur në ndeshjen e pestë gjysmëfinale mes Ponte Prizrenit dhe Pejës.

KB Peja në Ankesë sfidon pikat 9 dhe 10 të Vendimit të Komesarit të Garave, që ndërlidhen me lojtarët Brandon Walters dhe AJ Walton, duke cilësuar veprimet e tyre si akte të vetëmbrojtjes, në përputhje me Nenin 13 të Rregullores Disiplinore të FBK-së.

Brandan Walters dhe Aj Walton ishin dënuar nga Komesari i Garave i FBK-së, me nga dy ndeshje mos lojë dhe me nga 400 euro gjobë.

Pas shqyrtimit të ankesës së klubit të Pejës, dhe video inçizimeve, Komisioni Arbitrar mori vendim që dënimi i Brandan Walters të anulohet, kurse ai i Aj Walton të mbetet në fuqi.

“Anulohet pika 9 e Vendimit të Komesarit të Garave Nr. 266 i datës 05.05.2021, përkitazi me z. Brandon Walters;

Mbetet në fuqi pika 10 e Vendimit të Komesarit të Garave Nr. 266 i datës 05.05.2021, përkitazi me z. AJ Walton”, thuhet në vendimin e Komisionit Arbitrar të FBK-së.

Pra, Walters do të mundë të paraqitet kundër Golden Eagle Yllit menjëherë në sfidën e parë të finales së “Play-offit” që do të zhvillohet këtë të premte, kurse Walton mund të luajë në ndeshjen e tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore