Sport

Kosovë: Komisioni disiplinor i FFK-së dënon zyrtarët e klubeve


Komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me 13 prill, shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 28-të të Superligës si dhe javës së 22-të të Ligës së Parë.

Duke iu referuar raporteve, deklaratave plotësuese të zyrtarëve, si dhe video inçizimeve televizive dhe komfor Dispozitave të Rregullores disiplinore, ky komision mori vendime lidhur me ngjarjet që ndodhën këto ditë me futbollin vendor.

Kryetari i klubit Trepça’89, Abedin Zeka, është dënuar me shumën e 500 euro, për shkak se gjatë një emisioni televiziv, kishte akuzuar organet e FFK-së pa pasur fakte, gjë që është në kundërshtim me etikën sportive.

Ashtu sikur se Zeka, edhe trajneri i klubit të Gjilanit, Ismet Munishi është dënuar me të njëjtën gjobë, pasi ky i fundit gjithashtu në një emision televiziv, kishte deklaruar se klubi Prishtina, kishte pasur në favor të vetin referat në ndeshjen kundër ekipit të tij, Gjilanit.

Mirëpo, për dallim nga këta dy, kryetarit të klubit Ballkani, Arsim Kabashit, nuk i’u shqiptua gjobë, por vetëm vetëm i’u tërhoq vërejtja e fundit.

Kabashi pas ndeshjes mes Ballkanit dhe Prishtinës, në ambientet zyrtare të stadiumit i kihte ofenduar, madje edhe kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes.

Gjithashtu Komisioni Disiplinor ka hapur proceduara disiplinore si dhe ka kërkuar deklarata shtesë edhe për zyrtarët e klubeve Llapi dhe Vitia.

Komisioni ka kërkuar deklarata shtesë për kryetarin e klubit të Llapit, Tahir Batatina, pasi që ky i fundit kishte përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj një gazetareje, gjatë një emisioni televiziv.

Deklaratë shtesë është kërkuar edhe nga kryetari i klubit të Ligës së Parë të Kosovës, KF Vitia, Florent Emini.

Emini bashkë me një person të paautorizuar, pas përfundimit të pjesës së parë të një ndeshje, kishte hyrë në lokalet zyrtare ku ishin të vendosur gjyqtarët e ndeshjes duke i fyer dhe kërcënuar ata, si dhe kishte akuzuar organet e FFK-së.

Po ashtu i njëjti nuk kishte lejuar të fillojë pjesa e dytë për 10 minuta me pretekst se “nuk vazhdojmë pjesën e dytë pa ardhur prokurori”, pasi që dyshonte në ndarjen e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore