Lajme

Komisioneri Oliver Varhelyi i kërkon Kryeministit Kurti të vazhdoj dialogun me Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi për formimin e Qeverisë nga komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Përmes kësaj letre, duke uruar Kurtin për detyrën e re, komisioneri Varhelyi, ka thënë se kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët “kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve më Serbinë”.

Në këtë shkrim, duke ia kujtuar Kurtit se në zgjedhjet e 14 shkurtit, populli i Kosovës i ka dhënë atij një mandat të fortë për reforma në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për promovimin e zhvillimit socio-ekonomik, ka thënë se “BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën në këtë drejtim dhe se vazhdimi i dialogut me Serbinë është i domosdoshëm”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Po ashtu, Varhelyi ka thënë se luftimi i pandemisë COVID-19 mbetet si prioriteti kryesor.

“Luftimi i pandemisë së Coronavirusit dhe pasojave të saj socio-ekonomike do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. BE-ja tashmë ka siguruar ndihmë thelbësore dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese”, vijon njoftimi.

Ndërkohë, më 22 mars, Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore