Lajme

Kometa jeshile kalon pranë Tokës, pa spektaklin e premtuar


U deshën 50 mijë vjet, që kometa “E3 ZTF”, t’i afrohej Tokës aq sa bëri 1 shkurtin e vitit 2023, por spektaklin e premtuar në qiell, nuk e përmbushi, siç ishte premtuar nga shkencëtarët, të cilët merren me astronomi.

Një imazh i kapur nga fotografi i njohur portugez, Miguel Claro, e tregon gjithsesi, atë çfarë syri i njeriut nuk mundi ta shihte në qiell të hapur.

Një aureolë e gjelbër me bisht vezullues, është çfarë shihet në fotografinë e shkrepur nga Claro dhe praktikisht ajo pamje, e cila vetëm me një teleskop, mund të dukej aq mahnitëse.

Sa i takon syrit të lirë, drita që kometa emeton është shumë e zbehtë për t’u parë, përveçse nëse një lente e posaçme e vendos në shënjestër atë, siç janë edhe lentet e aparateve të sofistikuara fotografike.

Robert Massey, një doktor shkencash në fushën e astronomisë, foli mbi rastin dhe se si mediatikisht, u përhap fjala se një dritë e madhe e gjelbër do të dukej në qiellin tokësor.

Rasti gjithsesi, siç ka shpjeguar ai, nuk ishte aspak i tillë.

Shkak për këtë, përtej dritës së ulët të emetuar nga kometa, është edhe fakti se ajri është shumë i ndotur dhe nuk e lejon dritën e kometës të hyjë si duhet drejt Tokës.

Shpresa nuk humbur tërësisht, për ata të cilët kanë edhe dylbi me rreze të gjatë, pasi kometa, nëse lokalizohet, do të jetë e dukshme me to.

Por, mjeshtëri e madhe kërkohet për ta arritur këtë gjë dhe për ta lokalizuar në kohë reale.

Ajo përbëhet kryesisht nga akulli dhe pluhuri dhe kur këto forma kalojnë pranë Diellit, akulli shkrihet dhe pluhuri fillon të shkarkohet, duke lënë pas edhe bishtin karakteristik të kometave.

“E3 ZTF” u zbulua marsin e kaluar prej Observatorit Palomar në California dhe ajo kaloi rreth 41 milionë kilometra larg planetit tonë këtë të mërkurë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore