Lajme

Komentoi në Twitter – ndjekësit kërkojnë dorëheqjen e ish-komisioneres evropiane, Androulla Vassiliou


Ish-komisionerja evropiane, Androulla Vassiliou, është gjendur në telashe pas komenteve që bëri në “Twitter” mbi një rast përdhunimi në Greqi.

Pas publikimit të lajmit, ku një vajzë ishte droguar dhe përdhunuar në një hotel natën e Vitit të Ri, Vassiliou ka reaguar, duke deklaruar se nuk duhet të nxirren përfundime të shpejta.

“Dhe si e gjeti veten 24-vjeçarja në suitën e hotelit? Duhet të dihen të gjitha faktet përpara se të nxirren përfundime të shpejta”, ka shkruar ajo në median sociale “Twitter”.

Ky koment shkaktoi zemërim mes përdoruesve të mediave sociale në Greqi dhe Qipro, të cilët kanë reaguar menjëherë.

Shumë prej tyre kërkuan që Vassiliou të jepte dorëheqjen nga posti i saj si nënkryetare e bordit të Universitetit të Qipros.

“Përdhunimi është përdhunim, zonja Vassiliou”, shkroi në Twitter ish-zëdhënësi presidencial Victoras Papadopoulos, “një akt i dënueshëm dhe i urryer. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme”.

Papadopoulos shtoi se komente të tilla janë indinjuese, veçanërisht nga gratë, dhe “duke marrë parasysh se ky erdhi nga nënkryetari i bordit të UCY”.

Nuk kaloi as një minutë dhe Vassiliou postoi një Tweet të ri, ku kërkonte falje.

“Kërkoj falje nëse, përmes postimit tim, kam dhënë përshtypje të rreme se kam dashur të fajësoj viktimën. Përkundrazi, si nënë, shqetësohem për vajzat e reja që bien viktima dhe joshen nga hajdutët”.

Vassiliou tha se e kishin keqkuptuar, pasi “qëllimi i saj nuk ishte të sugjeronte se kishte një justifikim për autorin, por të theksonte faktin se vajzat duhet të tregohen dy herë më të kujdesshme me ftesa të tilla”.

Marrë nga “Greek City Times”, përshtatur për Albanian Post!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore