Sport

Kombëtarja e Shqipërisë/ Vrioni vjen pas dy ditësh, Broja pritet për Izraelin


Kombëtarja Shqiptare zhvilloi seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për tri ndeshjet e muajit qershor.

Kuqezinjtë do të përballen me Islandën në udhëtim, me Izraelin në “Air Albania” në kuadër të Ligës së Kombeve dhe me Estoninë po në Tiranë në ndeshjen miqësore.

Sikurse ishte njoftuar edhe një ditë më parë, nga 26 lojtarët e ftuar nga trajneri Edi Reja, listës i mungojnë Armando Broja dhe Giacomo Vrioni.

Sulmuesi i Chelsea-t, i cili mbaroi huazimin te Southmpton-i, thuhet se është i infektuar me COVID 19 dhe do ta humbë ndeshjen e parë në Islandë, por me siguri do të jetë nën urdhrat e Reja-s për sfidën e shtëpisë me Izraelin.

Pas dy ditësh do t’i bashkohet grupit edhe Giacomo Vrioni, që tashmë konsiderohet një alternativë e besueshme për sulmin, pas sezonit pozitiv që kaloi me Tirolin në Austri.

Edhe në këtë seancë stërvitore, Odise Roshi nuk është stërvitur me grupin, por është monitoruar veçmas nga stafi mjekësor për shkak të një shqetësimi muskulor.

Të martën Kombëtarja do të zhvillojë një ndeshje testuese brenda grupit në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 18:00, dhe do të përgatitet në Durrës deri më datë 4 qershor, për t’u nisur më pas drejt Islandës për sfidën e parë zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore