Lajme

Komandanti i KFOR-it takohet me shefin e Shtabit të Ushtrisë Serbe, flasin për “rezultatet pozitive” të Marrëveshjes së Ohrit


Angelo Michele Ristuccia dhe Milan Mojsiloviç

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, të martën është takuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, me të cilën kanë diskutuar për “Marrëveshjen e Ohrit”, të arritur më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë.

Nëpërmjet një njoftimi në llogarinë zyrtare në Twitter, nga KFOR-i kanë bërë të ditur se Ristuccia dhe Mojsiloviç gjatë këtij takimi diskutuan për implikimet e sigurisë nga rezultatet pozitive të takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, takoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, në Beograd. Ata diskutuan për implikimet e sigurisë nga rezultatet pozitive të takimit të Ohrit më 18 mars dhe konsoliduan bashkëpunimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë u pajtuan më 18 mars, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por Aleksandër Vuçiç ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore