Lajme

Kolegjiumi për Arsim komenton grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u: Të shikohet interesi i nxënësve


Samir Shahini

Kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim parauniversitar, Samir Shahini, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për arsim të martën, duke komentuar grevën e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka potencuar se në këtë rast duhet të shikohet interesi i nxënësve pasi sipas tij ky vit shkollor është dëmtuar mjaftueshëm.

“Mësimdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë atë që kërkojnë, mirëpo dua të konsiderojmë së bashku me mësimdhënësit dhe këtë trekëndëshin pushtetit lokal dhe qendror dhe SBASHK të konsiderojmë fillimisht interesin e nxënësve. Ky vit nuk duhet të dëmtohet më tepër, ky vit shkollor është dëmtuar që nga fillimi, rikujtojmë që viti shkollor ka nisur me shumë vonesë është punuar të shtunave ashtu siç është punuar dhe lirisht mund të konsiderojmë si të humbura”, theksoi ai.

Më tej, Shahini ka bërë të ditur se rreth 12 mijë nxënës më pak kanë vijuar vitin shkollor 2021-2022, ndërsa sfidë për sistemin parauniveristar sipas tij mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komuna, për çka Ministria e Arsimit nuk ka ofruar përkrahje.

“Vazhdojmë të kemi mos alookim të buxhetit për kryerjen e obligimeve që iu dalin komunave nga kontrata kolektive. Pastaj, një nga problemet e tjera më të theksuara është sfida e rekrutimit dhe ndeshja e dy ligjeve të cilat thonë krejt diçka tjetër njëri prej tjetrit për rekrutim të stafit, kemi Ligjin për Arsim Parauniveristar dhe atë për Shërbyes Publik i cili ia delegon përgjegjësinë e rekrutimit zyrave të personelit nëpër komuna dhe sot në realitet kemi disa komuna që vazhdojnë të kryejnë rekrutimin përmes njësisë kërkuese DKA në këtë rast dhe disa komuna që bëjnë rekrutimit përmes zyrës së personelit”, tha ai.

Ndryshe, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, në një prononcim për Albanian Post, pati treguar se të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe institucionet parashkollor, më 12 maj do të mbajnë një grevë një orësh.

Shkaqet që quan deri te greva, sipas Jashsarit vazhdon të mbetet e njëjta.

“Nuk u pa asnjë lëvizje pozitive, asnjë takim përmbajtjesor dhe kjo na ka bërë që në mungesë të dialogut, në mungesë të gatishmërisë së qeverisë për t’u përgjigjur në kërkesat tona që të kemi një ngritje page prej 100 euro dhe jo vetëm për muajin prill siç e kishim por, edhe për muajt tjerë, deri sa të filloj të implementohet ligji i pagave”, ka thënë Jashari për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore