Sport

KOK prezanton emrat e sportistëve nga Kosova që do të marrin pjesë në “Tokyo 2020”


Komiteti Olimpik i Kosovës, ka bërë të ditur emrat e 11 sportistëve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Këtë e bëri të ditur kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, në konferencën për media të mbajtur gjatë ditës së enjte.

Për dallim nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”, në të cilat Kosova ishte përfaqësuar nga tetë sportistë, tani listës iu shtuan edhe tre të tjerë.

Sportistët pjesëmarrës në Tokio, do të jenë:

Xhudon do ta përfaqësojnë: Majlinda Kelmendi -53 kg, Distria Krasniqi -49 kg, Nora Gjakova -57kg, Loriana Kuka -78kg, Akil Gjakova -73kg.

Në sportin e mundjes, Kosovën do ta përfaqësojë Egzon Shala në kategorinë -125 kg, stil i lirë.

Të ftuar nga Komisioni Tre-Palësh janë boksierja Donjeta Sadiku në kategorinë 57 deri 60 kg dhe Drilon Ibrahimi, shenjëtari sportive, 10 metra pushkë ajrore.

Derisa të ftuar sipas vendeve të rezervuara të Univerzalitetit, do të jenë dy notarët, Eda Zeqiri në disiplinën 400 metra, stil i lirë dhe Olt Kondirolli në disiplinën 100 metra, stil i lirë, si dhe atleti Musa Hajdari në disiplinën 800 metra vrapim.

Tutje, i pari i KOK-ut tha se Flamurin do ta bartin Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

“Flamurin do ta bart heroina jonë, Majlinda Kelmendi dhe kampioni i Evropës, Akil Gjakova”.

Ismet Krasniqi gjithashtu tha se ka shpresa që sportistët nga Kosova do të fitojnë medalje në Tokio.

“Nëse Kosova arrin të fitojë vetëm edhe një medalje, është sukses, por, pritjet janë që të ketë më shumë medalje, duke marrë parasysh stërvitjet që i kanë bërë”.

E pranishme në konferencë ishte edhe boksierja, Donjeta Sadiku, e cila tha se pjesëmarrja në lojërat olimpike është një ëndërr për të.

Tutje në konferencë, është bërë nënshkrimi mes Komitetit dhe bankës TEB, si partneritet për mbështetje, ku drejtori ekzekutiv i bankës, gjithashtu iu uroi suksese ekipit olimpik të Kosovës.

Kujtojmë që Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” do të mbahen nga data 23 korrik deri më 8 gusht.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore