Lajme

“Kohët e vështira kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim me partnerët”, Krasniqi tregon për takimet që do i ketë në Bruksel e Washington


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të ketë takime të shumta në Bruksel dhe Washington.

Ai përmes një postimi në Facebook theksoio se temat e takimit do të jenë situata aktuale, sfidat dhe rrugët përpara.

“Kohët e vështira kërkojnë koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e vërtetë, të besueshëm dhe strategjikë. Me miq të cilët ia duan të mirën Kosovës, popullit tonë dhe që mbajnë gjithmonë dyert hapur për ne”, shkroi ai.

Krasniqi në ShBA do të pritet në takime në Departamentin e Shtetit, e po ashtu do të takohet edhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Do të ketë takime edhe në Kongres e Senat, ndërsa do ketë takime edhe në disa prej instituteve dhe think-tanks kryesore amerikane.

Haxhiu: S’ma refuzuan SHBA-të vizën, u dakorduam bashkarisht që të mos shkoj

Ndryshe, të mërkurën mediat në Kosovë raportuan se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut i është refuzuar viza për udhëtim në SHBA.

Por, Haxhiu e ka mohuar një gjë të tillë.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka theksuar se vizitën në SHBA-a do ta realizojë, por “datat do t’ua kumtojmë me kohë”.

“Sot pasdite jam takuar me zyrtarë të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. Ndër të tjera, diskutuam edhe rreth ftesës së tyre për vizitë në SHBA”.

Për këtë çështje është pyetur nga gazetarët edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

Ky i fundit tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore