Lajme

Koha po mbaron, Turqia s’është në pozitë për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO


Nuk ka ende pozita të duhura për të pasur një ratifikim të marrëveshjes së anëtarësimit të Suedisë në NATO nga ana e Turqisë dhe koha, po mbaron.

Kështu ka pohuar zëdhënësi për shtyp i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, i cili i kujtoi edhe një herë Stockholmit se në muajin maj, në Turqi do të ketë zgjedhje dhe koha për të ratifikuar marrëveshjen në Parlament mund të mbarojë më shpejt nga sa mendohet.

E gjithë kjo, e krijuar pas një situate ku Ankaraja ka dërguar katër kërkesa ekstradimi, të cilat janë refuzuar të gjitha.

Qeveria suedeze nuk do të ekstradojë katër persona të kërkuar nga autoritetet turke, të cilët akuzohen se janë të lidhur me një klerik me bazë në SHBA, siç u bë me dije vetëm një ditë më parë.

Teksa, më 8 janar, ishte kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili tha qartë se kërkesat që Ankaraja ka bërë, nuk përmbushen dot nga ana e Suedisë.

Gjithsesi, këta të fundit e kanë të qartë se janë krejtësisht të devotshëm në përmbajtjen e një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e shkuar në Madrid.

Megjithatë, përpos kësaj iniciative, do të duheshin gjithsesi gjashtë muaj që vendi nordik t’i përmbahej gjithë kushteve dhe të krijonte predispozitat e duhura ligjore për të ndërmarrë hapat e përmbledhura në marrëveshje, të cilat do të lejonin përfundimisht edhe ekstradimin e disa personave kurdë, të shpallur si terroristë në Turqi.

Nëse Suedia mbetet e bllokuar, kjo gjë rrezikon edhe Finlandën në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi rrugëtimi i të dy vendeve është i lidhur njëri me tjetrin për aderim në NATO.

Teksa, vetë Erdogan, e sheh gjithë çështjen edhe në rrafshin gjeopolitik, pasi ai është aleati i vetëm i NATO-s, i cili arrin të mbledhë Rusinë në tryeza dhe të krijojë dialog mes Perëndimit dhe Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore