Lajme

Knezheviç: “Me nderin më të madh do e nënshkruaja vendimin për çnjohjen e Kosovës”


Kryetari i Partisë Popullore Demokratike në Mal të Zi (DNP) dhe njëri ndër liderët e Frontit Demokratik (DF), Milan Knezheviç, ka paralajmëruar se nëse do zgjidhet kryeministër do ta nënshkruante vendimin për çnjohjen e Kosovës.

“Nuk është sekret që nëse do të zgjidhesha kryeministër, me nderin më të madh do ta nënshkruaja vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës”, tha ai për mediumin malazez Vijesti.

Knezheviç edhe më herët kishte dhënë deklarata të ngjashme për Kosovën.

Ndryshe, Knezheviç-in dhe politikanin tjetër pro-serb Andija Mandiç i ka takuar këtë të shtune presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në komunën e Zetës, e cila pati njoftuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.

Kujtojmë se Fronti Demokratik në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish dhe organizatash pro-serbe, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Ndryshe, gjatë vitit 2022 Rusia ka paguar më shumë se 300 milionë dollarë për partitë politike, zyrtarët dhe politikanët në më shumë se njëzet vende të botës – si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të fituar ndikim jashtë vendit.

Në këtë raport, sipas burimit të Zërit të Amerikës, financim nga Rusia ka pranuar edhe formacioni politik pro-serb dhe pro-rus Fronti Demokratik, i cili ishte shumë afër formimit të qeverisë në Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore