Lajme

KMDLNJ: Të hetohet manipulimi i votave nga Serbia dhe Lista Serbe


Pas shpalljes së rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, organet e hetuesisë duhet të hetojnë dyshimet e ngritura nga anëtarët e subjekteve politike të komunitetit jo shumicë për manipulim të votave nga Serbia dhe Lista Serbe, ka thënë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë.

“Do të ishte mirë, madje e domosdoshme që pas shpalljes së rezultateve preliminare, organet e hetuesisë të hetojnë dyshimet e ngritura nga kandidatët dhe partitë politike të komunitetit jo – shumicë për manipulim të votave nga Serbia dhe Lista Serbe”, ka thënë KMDLNJ në një komunikatë për media.

KMDLNJ kërkon që të bëhet rinumërimi i votave në vendvotimet ku dyshohet se ka pasur parregullsi e “që kanë ndikuar në rezultatin e kandidatëve të komunitetit jo-shumicë, që në rastin konkret janë dëmtuar duke u eliminuar nga mundësia të përfaqësojnë komunitetin që i takojnë”.

Sipas tyre, partitë jo-shumicë duhet ta ndjekin rrugën ligjore në mënyrë që mbrohen të drejtat e tyre.

“Partitë jo-shumicë duhet ta ndjekin rrugën ligjore, pas certifikimit të rezultateve në mënyrë që t’i mbrojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe, në këtë drejtim do ta kenë përkrahjen e pa rezervë të KMDLNj -së”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ.

Tutje në njoftim thuhet se nuk do të lejohet ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Serbisë, përmes Listës Serbe sepse “procesi i votimit , sidomos për pjesëtarët e komunitetit jo – shumicë nuk do të ketë kuptim për faktin se për votat e tyre do të vendoset në Beograd dhe jo në Prishtinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore