Lajme

KMDLNJ, Qeverisë dhe SBASHK-ut: Gjeni zgjidhje për grevën


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka bërë thirrje tek Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të diskutojnë për të gjetur një zgjidhje sa i përket grevës në arsim.

Përmes një njoftimi KMDLNJ-ja ka theksuar se 320 mijë nxënësve të të gjitha niveleve i është mohuar e drejta elementare e njeriut, ajo për shkollim.

“KMDLNj thërret palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje dhe nxënësit të fillojnë mësimin. Ndryshe, të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Të njëjtit konsiderojnë se greva është zgjidhje vetëm atëherë kur shpenzohen të gjitha mundësitë për arritje të një marrëveshjeje.

“Refuzimi i vendosur i kryeministrit Kurti ta takojë kryetarin e SBASHK, Rrahman Jasharaj e vështirëson shumë zgjidhjen e ngërçit të krijuar, aq më parë që ministrat dhe vartësit e kryeministrit nuk dalin jashtë qëndrimeve të kryeministrit madje, për më keq me një fjalor fyes dhe kërcënues e fusin çështjen në rrugë njëkahëshe, pa zgjidhje”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, potencohet se Qeveria është dashur të përpiqet vazhdimisht që ta evitojë grevën.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.

“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim.

Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato institucione që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore