Sport

Klubi francez dëshiron transferimin e Vedat Muriqit


Klubi francez, Saint Etienne, është duke përgatitur një ofertë për futbollistin kosovar, Vedat Muriqin.

Sipas asaj që raportojnë mediat franceze, Saint Etienne do t’i propozojë Lazio-s huazimin e Muriqit deri në fund të sezonit, me opsion blerje.

Ndërsa për sulmuesin e kombëtares së Kosovës, do të ketë një pagë prej 1 milion euro në sezon, në rast se arrihet marrëveshja.

Në anën tjetër edhe Lazio mezi pret që të heq dorë nga sulmuesi 27 vjeçar, por ata dëshirojnë që transferimi të jetë me obligim blerje.

Kur kanë mbetur vetëm edhe shtatë ditë deri në mbylljen e afatit kalimtar dimëror, Saint Etienne duhet të lëvizë më shpejtë për të nënshkruar me sulmuesin nga Prizreni.

Mirëpo, për Muriqin kanë shprehur interesim edhe shumë skuadra tjera, por ai më së shumti e dëshiron një rikthim në klubin e Fenerbahce-s, aty ku shkëlqeu para se të transferohej te Lazio.

Kujtojmë që Lazio e transferoi Muriqin në verën e vitit 2020, për të cilin pagoi shumën e 20 milionë eurove.

Ai aktualisht përfiton një pagë prej 2.2 milionë euro në klubin nga kryeqyteti italian, me të cilët ka kontratë deri në verën e vitit 2025.

Muriqi deri më tani numëron 43 paraqitje me skuadrën e Lazio-s (shumicën si rezervist), prej të cilave ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm një herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore