Sport

Klubet e mëdha evropiane janë vënë pas futbollistit të River Plate-s


Futbollisti i River Plate-s, Julian Alvarez, është bërë shënjestër e thuajse të gjithë klubeve të mëdha evropiane.

Forma që po kalon me ekipin argjentinas, duke shënuar 24 gola dhe duke dhuruar 15 asistime në 42 ndeshje në të gjitha garat, ka bërë që Alvarez të kërkohet nga top klubet në Evropë.

Këto shifra kanë bërë që pas talentit të madh argjentinas të vihen skuadrat e mëdha si Barcelona, Chelsea, Manchester City, Manchester United, Arsenal, Milan e Juventus.

Por, së fundmi në garë ka hyrë edhe gjiganti bavarez, Bayern Munich, të cilët janë të interesuar për ta transferuar sulmuesin 21 vjeçar, që në afatin kalimtar të janarit.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Argjentinë, klubi gjerman është duke përgatitur një ofertë prej 25 milionë eurosh për River Plate-n, për ta lënë të lirë futbollistin e tyre.

Gjithsesi gara për të pritet të jetë shumë e nxehtë, pasi që shumë klube dëshirojnë ta kenë në skuadër Alvarez-in.

Kujtojmë që Julian Alvarez është pjesë e River Plate-s që nga janari i vitit 2019, i cili ka realizuar 90 paraqitje me klubin argjentinas.

Ai gjithashtu numëron edhe pesë ndeshje zyrtare me kombëtaren e Argjentinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore