Shqipëria

Klosi: Rikthehet ‘UNUM Festival 2021’, nëse e lejon Komiteti Teknik i Ekspertëve


Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, të shtunën e 8 majit, në bregdetin e Shëngjinit, ka marrë pjesë në konferencën zyrtare të prezantimit të ‘UNUM Festival 2021”.

Ai u shpreh se, duhet të diskutohet me Komitetin Teknik të Ekspertëve nëse situata e pandemisë e lejon organizimin për të dytin vit, festivalin UNUM 2021.

“Duam ta kemi në kontroll pandeminë dhe të kemi mundësinë që, Komiteti i Ekspertëve të marri parasysh kërkesën e organizatorëve, që në Shëngjin të mbërrijnë një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe të kemi një festë post-COVID”, tha ai në fjalën e mbajtur gjatë konferencës.

Gjithashtu, theksoi se organizatorët kanë premtuar që, do të bëhet një testim për pjesëmarrësit.

“Shpresojmë që festivali UNUM të jetë një shenjë e fortë që ne ia dolëm, e menaxhuam këtë situatë të vështirë dhe jemi të gatshëm të hapim një sezon turistik të fortë”, deklaroi ai.

Ndërsa shqiptari nga Kosova, përfaqësues i ‘UNUM Festival 2021’ njoftoi se, deri më tani janë shitur rreth 6 mijë bileta.

UNUM Festival pritet të mbahet për të dytën herë, në zonën e quajtur Rana e Hedhun, në bregdetin e Shëngjinit. Këtë verë, për pesë ditë me radhë, në datat 3-7 qershor, ky festival premton të dhurojë emocione përmes ritmeve të muzikës dhe aktiviteteve kulturore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore