Lajme

Klasikja Model T, makina që mund të blihej nga shumica e njerëzve


I shitur nga kompania Ford Motor nga viti 1908 deri në vitin 1927, Model T përfaqëson përpjekjen më të hershme për të krijuar një makinë që mund ta blejë shumica e njerëzve.

Makina u popullarizua shumë në një moment sa shumica e amerikanëve zotëronin një të tillë, duke ndihmuar drejtpërdrejt amerikanët ruralë të lidheshin me pjesën tjetër të vendit.

Kështu, tregon faqja “History”, nevojat e prodhimit të Model T shkuan paralelisht me modernizimin revolucionar të procesit të prodhimit nga Ford.

Henry Ford dhe motori i makinës

Ditën, Henry Ford ishte inxhinier kryesor te kompania Edison Illuminating e Detroit-it, ndërsa natën punonte për një motor benzine.

Ai testoi me sukses një të tillë në prag të Krishtlindjes së vitit 1893.

Motori punoi për 30 sekonda, mjaftueshëm për të konfirmuar për Ford-in se ishte në rrugën e duhur.

Tre vjet më vonë, zhvilloi Quadcycle, një automjet vetëlëvizës. Dhe pas dy sipërmarrjeve të dështuara të biznesit, lindi kompania Ford Motor më 16 qershor 1903.

Ndërmjet viteve 1913 dhe 1927, tregon “History”, fabrikat e Ford-it prodhuan më shumë se 15 milionë makina Model T.

Zhvillimi zyrtar i Model T nisi në janar 1907, kur Ford mblodhi një ekip të përbërë nga inxhinieri Childe Harold Wills, makinisti C.J. Smith dhe hartuesi Joseph Galamb në fabrikën e tij të vogël në Detroit.

Shitja e makinës Model T

I krijuar nga çeliku i aliazhuar, Model T ofroi forcë superiore pavarësisht peshës së lehtë. Gjithashtu kishte një distancë të madhe nga toka, çka mund të kalonte rrugët më të këqija, gjë që e bëri atë veçanërisht tërheqës për shoferët ruralë.

Modeli T ishte Fordi i parë me të gjitha pjesët e tij të ndërtuara nga vetë kompania.

Duke u shitur për 850 dollarë, vlerë që u konsiderua e arsyeshme, ishte ende pak më e lartë se të ardhurat e punëtorit mesatar amerikan.

Kështu, qëllimi i Ford-it ishte të vazhdonte uljen e çmimeve.

Një marifet publiciteti

Zakonisht, Ford projektonte marifete publicitare për t’i shfaqur makinat në gazetat britanike.

Në vitin 1911, sipas “History”, një tregtar skocez makinash propozoi të sfidonte djalin e tij që të ngiste një Model T në majën e Ben Nevis në Malësitë Skoceze.

Ky i fundit është mali më i lartë në Ishujt Britanikë dhe basti ishte që nëse ai nuk arrinte në majë, do të humbiste kompensimin.

Model T kaloi mbi shkëmbinj, nëpër moçal dhe nëpër borë në një udhëtim pesë-ditor. Ajo u ngjit në majë duke përdorur një model vozitjeje zig-zag.

Pas zbritjes, djali u përshëndet nga një turmë brohoritëse prej qindra njerëzish, pas së cilës ktheu sërish makinën te i ati në Edinburg.

Pas publicitetit, në Mbretërinë e Bashkuar u shitën mbi 14 mijë Model T. Dhe kjo ishte hera e fundit që Ford-i ndjeu se një marifet publicitar ishte i nevojshëm për të shitur makinat atje.

Model T në më pak se gjashtë orë

Deri në vitin 1913, një fabrikë e re prej 60 hektarësh u ndërtua në Highland Park për të prodhuar Model T.

Asokohe, fabrika konsiderohej si më e madhja në botë dhe numri i punonjësve të Ford-it u dyfishua.

Për këtë fabrikë, Ford punoi për të përmirësuar linjën e montimit të procesit të prodhimit.

Ajo u kthye në linjën e parë të montimit lëvizës, duke përdorur shirita transportues të frymëzuar nga impiantet e paketimit të mishit në Chicago.

Çdo aspekt i montimit u shndërrua në montim lëvizës, i cili përmirësoi efikasitetin dhe shkurtoi kohën e prodhimit, dallon “History”.

Kështu, në vetëm gjashtë muaj, koha për të ndërtuar një Model T u reduktua nga nëntë orë e pesëdhjetë e katër minuta për një motor, në pesë orë e pesëdhjetë e gjashtë minuta.

Ndryshim kohe

Në mesin e viteve 1920. konkurrenca u rrit duke u dhënë konsumatorëve rreth 10 herë më shumë zgjedhje të modeleve të makinave krahasuar me një dekadë më parë.

Model T u përpoq të konkurronte, por shitjet ranë dhe makina u konsiderua e modës së vjetër.

Pas shumë hezitimeve nga Ford, u njoftua në vitin 1927 se Model T nuk do të prodhohej më.

Të tjera ja zunë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore