Lajme

Kjo është pika më e afërt e dështimit të dialogut


Bruksel: Besnik Bislimi, Miroslav Lajcak dhe Petar Petkovic

Një intervistë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë qeverinë serbe që të vije në përfundimin se s’ka më çka të dialogohet mes dy palëve.

“Dialogu ka pësuar një kolaps flagrant”, tha drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pas deklaratës së Bislimit, i cili në Kohavizion pohoi se Kosova nuk e pranon Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Deklarata e Bislimit erdhi pas reagimit të Goran Rakiç, kryetarit të Listës Serbe, i cili tha që nëse nuk formohet Asociacioni, atëherë ata janë jashtë Qeverisë së Kosovës.

Bislimi në anën tjetër, çartësoi se ky ishte vetëm një manipulim i Listës Serbe, pasi s’ka gjasa që të themelohet, ajo që dikur quhej, “Zajednica”.

“Këto deklarata shantazhuese dhe të njëanshme nga Bislimi nuk ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve ose kërkimin e një zgjidhjeje kompromisi”, deklaroi Petkoviç njofton Agjencia Serbe e Lajmeve Tanjug.

“Prandaj, ne kërkojmë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetës në dialog dhe garant i zbatimit të marrëveshjes, të reagojë ndaj mesazheve të tilla të rrezikshme nga Prishtina në lidhje me shkeljen e marrëveshjes dhe Bashkimin e Komunave Serbe”.

Gjithsesi, përkundër këtyre deklaratave, ekipet e dy shteteve kanë udhëtuar për në Bruksel.

Atje do të takohen me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian që të arrijnë një zgjidhje përfundimtare për çështjen e targave.

Aktualisht vlen reciprociteti me ngjitës, por vetëm për gjashtë muaj. Brenda kësaj kornize kohore do të tentohet të gjendet një modul për t’i dhënë fund problemit me targat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore