Lajme

Kinë/ Shitjet e automjeteve bien për muajin e katërt radhazi prej mungesës së çipave


Në Kinë, shitjet e automjeteve kanë pësuar rënie me 17.8 për qind në muajin gusht krahasuar me një vit më parë, duke rënë për të katërtin muaj rresht.

Kjo pasi tregu më i madh i makinave në botë u godit rëndë nga një mungesë globale e gjysmëpërçuesve.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se shitjet e përgjithshme në Kinë në muajin gusht ishin 1.8 milionë automjete, referuar të dhënave nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automjeteve (CAAM).

Në tetë muajt e parë të vitit 2021 nga e njëjta periudhë e një viti më parë, shitjet e automjeteve në Kinë u rritën me 13.7 për qind, pasi tregu u rimëkëmb nga nivelet më të ulëta të pandemisë.

Tanimë, CAAM pret që rritja e vitit 2021 të jetë më e ngadaltë se një parashikim i mëparshëm prej 6.5 për qind. Kështu ka bërë me dije Chen Shihua, një zyrtar i lartë në CAAM.

“Reuters” tregon se mungesa e zgjatur globale e çipave ka shqetësuar prodhuesit kryesorë të automjeteve, përfshirë Ford Motor, Honda Motor, General Motors dhe Volkswagen, duke detyruar shumë prej tyre të mos prodhojnë ose të kufizojnë prodhimin.

Chen ka dalluar se mungesa nuk kishte gjasa të zgjidhej shpejt pasi pandemia të rrisë ritmet në shumë pjesë të botës.

Lidhur me të dhënat, një pikë e ndritshme ishte shitja e fortë e automjeteve të reja energjetike, të cilat u dyfishuan në gusht në 321 mijë automjete. Këto përfshijnë automjete elektrike me bateri, hibride me benzinë dhe automjete me qeliza karburanti hidrogjeni.

Ndërkaq, promovimi i qeverisë për automjetet më të gjelbra për të zvogëluar ndotjen ka nxitur prodhuesit e makinave elektrike si Nio Inc, Xpeng Inc dhe BYD Co Ltd të zgjerojnë kapacitetin prodhues në Kinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore