Sport

Kinë, Komiteti Olimpik: Lojërat Dimërore do të zhvillohen pa masa të reja anti-Covid 19


Huang Chun, një zyrtar i Komitetit Organizativ të Lojërave Dimërore, Pekin 2022, the në një takim online se nuk do të ketë masa shtesë parandaluse për Covid-19. Ndërkohë, 20 milionë kinezë janë në izolim.

Rastet e reja të Omicron-it në Kinë nuk do të jenë pengesë për fillimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin, të cilat do të hapen më 4 shkurt.

Chun, tha gjatë takimit se masat do të shtohen vetëm në rast se “do të ketë shumë raste (me të infektuar)”.

Një vendim i mbështetur edhe nga zëdhënësi i Komitetit Olimpik, Zhao Weidong-u, i cili garanton se “çfarëdo vështirësie dhe sfidash që mund të hasim, vendosmëria jonë për të pritur Lojërat, mbetet e palëkundur”.

Megjithatë, qeveria e Pekinit, shprehu shqetësimin e saj për Lojërat vetëm një ditë më parë, më 10 janar.

Lojërat mbahen nga data 4 deri më 20 shkurt dhe varianti Omicron tashmë është i pranishëm në zonën e Tianjinit, që gjendet fare pranë Pekinit.

Mëngjesin e kësaj të marte, Anyangu u bë qyteti i tretë kinez që u fut në izolim. Mbi 5.5 milionë banorët e tij janë mbyllur në shtëpi.

Autoritetet kineze kanë zbuluar dy raste të infektimit me Omicron dhe ata i lidhin me Tianjinin dhe Anyangun. Nëse kjo hipotezë vërtetohet, do të ishte rasti i parë i përhapjes së brendshme dhe jo nga njerëzit që vijnë nga jashtë.

Me izolimin e Anyangut, numri i kinezëve të mbyllur në shtëpi shkon në shifrën e rreth 20 milionëve. 13 milionë janë të izoluar në qytetin Xian dhe 1.1 milionë në Yuzhou.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore