Lajme

Kinë/ Goldman ul parashikimin e rritjes për shkak të ndërprerjeve të energjisë


Kompania bankare e investimeve, Goldman Sachs, është bërë emri i fundit në sferën bankare që ka ulur parashikimin e rritjes për Kinën, teksa vendi po lufton me mungesat e energjisë.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se, në ndryshim nga parashikimi i mëparshëm për rritje me 8.2 për qind, tanimë kompania pret që ekonomia e dytë më e madhe në botë të zgjerohet me 7.8 për qind këtë vit.

Sipas saj, shkurtimet e mëdha të prodhimit industrial të shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë shtojnë “presione negative të konsiderueshme”.

Madje, vlerëson se prej kësaj është prekur afro 44 për qind e aktivitetit industrial të Kinës.

E shkaktuar nga kontrollet mjedisore, kufizimet e furnizimit dhe çmimet e larta, kriza e furnizimit me energji elektrike ka lënë disa fabrika dhe shtëpi pa energji elektrike.

Në fillim, mungesa e energjisë preku prodhuesit në të gjithë vendin, shumë prej të cilëve u është dashur të frenojnë ose ndalojnë prodhimin javët e fundit.

Referuar një dokumenti të parë nga “BBC”, porti më i madh në veri të Kinës, në Tianjin, është prekur nga mungesa e energjisë elektrike.

Dhe se racionimi i energjisë për vinça që heqin ngarkesën midis anijeve dhe bregut pritet të vazhdojë deri në fund të javës.

Tanimë, kjo mungesë është përhapur në disa shtëpi, me banorët në Kinën verilindore që përballen me ndërprerje të paparalajmëruar të energjisë në ditët e fundit.

Njerëzit, që jetojnë në provincat Liaoning, Jilin dhe Heilongjiang, janë ankuar në mediat sociale për mungesën e ngrohjes dhe ashensorët dhe semaforët nuk punojnë.

Ndërkohë, autoritetet provinciale janë përpjekur për të garantuar energji elektrike dhe ngrohje për banorët.

“BBC” dallon se Kina mbetet shumë e varur nga qymyri për prodhimin e energjisë elektrike.

Edhe kompania financiare japoneze Nomura, banka e investimeve në Wall Street Morgan Stanley dhe China International Capital Corporation kanë ulur parashikimet e rritjes ekonomike për Kinën.

Gjithashtu kanë paralajmëruar rritje më të ulët për shkak të ndërprerjeve të energjisë.

Në këtë kohë, ekonomia kineze po ballafaqohet me ndikimin e rregullave të reja të ashpra të disa prej industrive më të mëdha të vendit, siç janë zhvilluesit e pronave dhe kompanitë teknologjike.

Shqetësimet e Evergrande

Edhe shqetësimet mbi fatin e gjigantit të pasurive të paluajtshme me borxhe të mëdha, Evergrande, po e rëndojnë gjendjen e investitorëve.

“Pasiguria e konsiderueshme mbetet në lidhje me tremujorin e katërt, me rreziqe të larta dhe të këqija që lidhen kryesisht me qasjen e qeverisë për të menaxhuar streset e Evergrande, rreptësinë e zbatimit të objektivave mjedisorë dhe shkallën e lehtësimit të politikave”, ka thënë Goldman.

Pa përmendur emrin Evergrande, Banka Qendrore e Kinës premtoi të hënën e 27 shtatorit të mbrojë konsumatorët e ekspozuar ndaj tregut të banesave.

Ndërkohë, njoftimi i Bankës Popullore të Kinës është parë si një sinjal se autoritetet janë gati të veprojnë për të ndaluar çdo pasojë të krizës Evergrande që përhapet në pjesë të tjera të ekonomisë.

“BBC” tregon se ditët e fundit, tregjet globale janë tronditur pasi investitorët shqetësohen për aftësinë e kompanisë për të paguar interesat për borxhin e saj më shumë se 300 miliardë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore