Aplikacione

Kinë, 33 aplikacione kanë shkelur rregulloret


Në Kinë, Administrata e Hapësirës Kibernetike, ka deklaruar se 33 aplikacione duke përfshirë software-in e navigimit në hartë të siguruar nga Baidu Inc dhe Tencent Holdings Ltd, kanë shkelur rregulloret.

Shkelja ka të bëjë me grumbullimin e një shumësie informacionesh personale, të cilat nuk kanë qenë me rëndësi për shërbimet që platformat e tyre ofrojnë.

Agjencia e lajmeve, Bloomberg, zbulon se operatorëve të aplikacioneve iu kërkua që të korrigjonin çështjet brenda një afati kohor 10 ditor të punës. Në të kundërt, operatorët duhet t’i nënshtrohen ndëshkimeve.

Gjatë deklaratës nuk janë dhënë hollësi të tjera megjithatë është bërë me dije se gjatë kohëve të fundit autoritetet kanë kryer kontrolle të aplikacioneve që ishin përdorur gjerësisht.

Ndër të tjera, rregullatori kinez ka gjetur se aplikacionet kanë mbledhur të dhëna personale të përdoruesve pa marrë pëlqimin e tyre dhe se operatorët janë përpjekur të bindin klientët që të lejojnë hyrjen në listat e kontakteve të telefonisë celulare.

Kjo vjen pas një publikimi rregullash të administratës në muajin mars, të cilat ndalonin operatorët e aplikacioneve telefonike të mos pranojnë të ofrojnë shërbime themelore për klientët, të cilët refuzojnë të japin informacione personale “të panevojshme”.

Rregullatori është zotuar gjithashtu se do të mbrojë të drejtat e përdoruesve të internetit.

Nga shqetësimet në rritje mbi ndikimin që kanë kompanitë teknologjike, Kina ka nisur t’i frenojë ato dhe sasitë e mëdha të të dhënave që këto kompani grumbullojnë përmes ofrimit të shërbimeve si blerjet në internet apo bashkëbisedimet.

Nuk mbyllet këtu përpjekja e Kinës. Pretendohet se qeveria ka propozuar një sipërmarrje të mbështetur nga shteti me disa nga platformat më të mëdha të tregtisë elektronike dhe të pagesave në vend, e cila do të merret me mbikëqyrjen e të dhënave fitimprurëse që kompanitë mbledhin nga qindra milionë konsumatorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore