Lajme

Kina zbulon pamjet hapësinore nga Marsi (VIDEO)


Kina ka zbuluar dy imazhe të planetit Mars, të cilat janë kapur nga anija kozmike Tianwen-1.

Imazhet shfaqin hemisferën veriore dhe atë jugore të planetit të kuq. Fotot janë bërë publike nga Administrata Kombëtare Hapësinore Kineze.

Tianwen-1 u fut në një orbitë parkimi të përkohshëm rreth Marsit në fund të shkurtit. Kjo i paraprin uljes së një roboti në sipërfaqen e shkretë të planetit. Anija kozmike do të qëndrojë në orbitë deri në çastin kur të kërkojë uljen në dheun marsian në maj.

Nëse përpjekja rezulton e suksesshme, kjo do ta bënte Kinën vendin e dytë në botë që ul një robot në planetin e kuq, pas SHBA-së.

Këta të fundit arritën të ulin “Perseverance” në Mars, më 18 shkurt të këtij viti. Roboti i NASA-s arriti të zbriste me sukses dhe ka nisur eksplorimin e kraterit Jezero.

Fotot e para të Perseverance nga Marsi u pritën me kurreshtje. Një ngjashmëri shumë e madhe midis shkretëtirave të gurta tokësore dhe sipërfaqes së planetit të kuq, u vu re në detajet e para.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore