Lajme

Kina zbraz kampet e ushtrisë në kufirin me Indinë


Kina ka larguar automjetet dhe ka çmontuar dhjetëra struktura për të zbrazur kampe të tëra përgjatë kufirit “të diskutueshëm” në Himalaje, në të cilin trupat indiane dhe kineze ishin të “mbyllura përballë njëra-tjetrës” që nga prilli i kaluar.

Plani për tërheqjen e trupave, tankeve dhe pajisjeve të tjera nga brigjet e Pangong Tso u lajmërua javën e kaluar. Pangong Tso është një liqen akullnajor në rajonin Ladakh, i cili ishte pika e ndezjes në mosmarrëveshjen e tyre të zgjatur kufitare.

Liqeni Pangong Tso dhe rajoni Aksai Chin

Bëjmë me dije se Linja e Kontrollit Aktual (LAC) kalon përmes liqenit Pangong Tso. Një pjesë e liqenit, afërsisht 20-të kilometra në lindje kontrollohet nga Kina, por pretendohet nga India. Liqeni “Pangong Tso” është strategjikisht i rëndësishëm, pasi është shumë afër Luginës së Chusul-it, e cila ka qenë një nga frontet e betejës midis Indisë dhe Kinës gjatë luftës së vitit 1962.

Kina nuk dëshiron që India të rrisë infrastrukturën e saj, pasi ka frikë se kërcënon pushtimin e Aksai Chin, dhe autostradës Lhasa-Kashgar. Aksai Chin është një rajon i vendosur në kryqëzimin e Republikës Popullore të Kinës, Pakistanit dhe Indisë. Ai pretendohet nga India por është nën administrimin e Kinës. Aksai Chin është gjithashtu një nga mosmarrëveshjet kryesore kufitare midis Kinës dhe Indisë.

Reagimet nga India

Në lidhje me çmontimin e strukturave nga kampet reagoi edhe një zyrtar në New Delhi. “Një veprim i ngjashëm po ndodh edhe nga ana jonë gjithashtu”, tha ai.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes në Indi, Rajnath Singh, ka deklaruar në parlament se të dyja palët kishin rënë dakord t’i tërhiqnin trupat rreth Pangong Tso “në mënyrë të koordinuar dhe të verifikuar”, pas së cilës komandantët ushtarakë do të diskutonin për t’i dhënë fund bllokimit në pjesë të tjera të kufirit Ladakh.

Tensionet filluan të rriteshin gjatë muajit prill, kur India akuzoi trupat kineze për ndërhyrje në anën e saj të linjës së kontrollit aktual. Kina e mohoi akuzën, duke thënë se po vepronte në zonën e vet.

Përplasja u zhvillua në qershor të vitit 2020-të, kur 20-të ushtarë indianë dhe një numër i pazbuluar i trupave kineze u vranë gjatë përleshjeve të drejtpërdrejta në rajonin Galwan të Ladakh. Këto ishin viktimat e para përgjatë kufirit 3 mijë e 500 kilometra.

Kinë-Indi

Përkundër disa bisedimeve diplomatike dhe ushtarake, India dhe Kina nuk qenë në gjendje të vendosin një marrëveshje, duke e bërë kështu kritike fazën e parë të tërheqjes.

“Ata kanë bërë një hap prapa për të ulur tensionet dhe për të hapur rrugën për përshkallëzim të mëtejshëm”, deklaroi zyrtari indian. Videot dhe imazhet e nxjerra nga ushtria indiane në fillim të kësaj jave treguan trupat kineze duke çmontuar bunkerët, çadrat, tanket, dhe automjetet që lëviznin si pjesë e procesit të shkëputjes.

Disa ekspertë kanë paralajmëruar se tërheqja aktuale është vetëm hapi i parë në një proces të mundshëm të zgjatur. “Nuk është ende askund afër një shkëputjeje të plotë ose një marrëveshjeje për atë që duhet të bëjmë”, tha ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Indi, Shivshankar Menon.

Tensionet

Kujtojmë se tensioni i fundit mes Indisë dhe Kinës, i cili u rrit me vdekjen e 20 ushtarëve indianë, përfshirë edhe një oficer, kujton tensionet e ngjashme që kanë ndodhur për dekada mes dy vendeve.

Ndërkohë që ngjarja më e dhunshme mes dy vendeve që prej vitit 1975 u përjetua me vdekjen e 20 ushtarëve indianë. Rajonet kufitare të diskutueshme janë bërë shpeshherë skenë e konflikteve në vitet e fundit.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1993 mes Indisë dhe Kinës, është vendosur që ushtarët të mos mbajnë armë gjatë patrullimeve kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore