Lajme

Kina sinjalizon ndryshim në qëndrimin ndaj COVID-it teksa disa bllokime u lehtësuan


Në Kinë, një nga zyrtarët më të lartë për përgjigjen ndaj pandemisë ka thënë se vendi po hyn në një “fazë dhe mision të ri”.

Kjo, lidhur me treguesin e fundit të ndryshimit të qasjes së qeverisë pas protestave masive kundër politikës zero-COVID.

Deklarata e zëvendëskryeministrit të Kinës, Sun Chunlan, ka ardhur pasi disa rajone – përfshirë Shanghai-n – filluan të heqin bllokimet pavarësisht numrit të lartë të rasteve të vazhdueshme.

Vetëm ditët e fundit zyrtarët kinezë kanë filluar të theksojnë ashpërsinë më të ulët të llojit Omicron.

Po ashtu media shtetërore ka filluar të publikojë garanci se publiku nuk duhet të bjerë në panik për variantin. Dhe ky ndryshim i tonit vjen së bashku me një përpjekje të re vaksinimi që synon të moshuarit.

Më shumë se 90 për qind e popullsisë së Kinës ka marrë të paktën dy doza të një vaksine, por shkalla bie ndjeshëm midis demografisë së të moshuarve, veçanërisht atyre mbi 80 vjeç.

Kina raportoi 36 mijë e 61 raste të mërkurën, një rënie e lehtë nga 37 mijë e 828 e së martës. Pavarësisht shifrave relativisht të larta, disa zona kanë filluar të lehtësojnë kufizimet.

Hu Xijin, ish-redaktori i tabloidit të medias shtetërore nacionaliste, “Global Times”, ka vënë në dukje ndryshimet e papritura.

“Kina po shpejton për të hequr mënjanë bllokimet në shkallë të gjerë”, ka komentuar Hu në Twitter.

Sipas analistëve, ndryshimet janë një shenjë e qartë se qeveria po i dëgjon protestuesit, edhe nëse nuk po i pranon publikisht dhe në vend të kësaj ka dërguar autoritetet në ndjekje të atyre që ndoqën protestat.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore