Lajme

Kina shtrin testimet masive të COVID-19 edhe në rrethe


Kina po përpiqet të përmbajë një rritje të rasteve të Coronavirus-it në Pekin pasi dhjetëra njerëz rezultuan pozitivë për virusin ditët e fundit.

Pas 33 rasteve të reja të transmetuara në nivel lokal në Pekin më 25 prill, qeveria kineze po i përmbahet strategjisë zero-COVID-19.

Kështu, banorët në të gjithë kryeqytetin zunë radhë, në pritje të testimit masiv.

Sipas “The Guardian”, përcjell Albanian Post, në lagjen më të populluar të kryeqytetit, Chaoyang, pritet të testohen masivisht 22 milionë banorë.

Deri në fund të ditës, edhe pse vetëm një pjesë e rezultateve kishin dalë, qyteti vendosi të kryente teste në 10 rrethe të tjera dhe një zonë të zhvillimit ekonomik deri të shtunën.

Autoritetet shëndetësore të qytetit, të martën raportuan se rastet e lokalizuara ishin 32 simptomatike dhe një asimptomatik.

Krahasuar me një ditë më parë, kjo ishte pak më e lartë se 19 infeksione të raportuara në komunitet.

Ndërkaq, Shanghai priti për rreth një muaj dhe më shumë se 1 mijë raste përpara se të niste një testim masiv në mbarë qytetin në fillim të prillit.

“Për të frenuar rrezikun e përhapjes së epidemisë dhe për të ruajtur në mënyrë efektive shëndetin e qytetarëve, u vendos që të zgjerohet më tej fusha e shqyrtimit rajonal në bazë të testeve të bëra në rrethin Chaoyang”, tha një zëdhënës i qeverisë komunale të Pekinit, përcjell Albanian Post.

Më tej, ai bëri me dije se nga e marta deri të shtunën, në rrethet Dongcheng, Xicheng, Haidian, Fengtai, Shijingshan, Fangshan, Tongzhou, Shunyi, Changping, Daxing, si dhe në Zonën e Zhvillimit Ekonomik-Teknologjik të Pekinit, do të kryhen tri raunde testesh PCR.

Përhapja e fundit e Coronavirus-it në Pekin, edhe pse modeste për standardet globale, pritet të thellojë frikën e një bllokimi të stilit të Shangait të kryeqytetit kinez, duke turbulluar më tej perspektivën ekonomike të vendit, pasi testimi masiv i pafund, një regjim rigoroz karantine dhe rregullat e rrepta të distancimit shoqëror e bëjnë dëmin e tyre.

Tregjet aziatike pësuan ditën e tyre më të keqe në më shumë se një muaj të hënën nga frika se Pekini do të hynte në një bllokim të tillë. Aksionet kineze ranë në nivelin më të ulët të dy viteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore