Lajme

Kina, ‘rrëmbyesja e gazetarëve’


Kina është “kufizuesja më e madhe e gazetarëve në botë”.

Kështu ka nxjerrë një raport i fundit i Reporterëve pa Kufij (RSF), duke zbuluar se aktualisht janë të paktën 127 reporterë të arrestuar.

Gjithashtu raporti ka veçuar se Kina po kryente një “fushatë të paprecedentë represioni” në mbarë botën kundër gazetarisë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se Kina i ka justifikuar arrestimet e gazetarëve dhe qytetarëve gazetarë, duke i akuzuar ata për provokim.

Megjithatë, RSF-ja ka vënë në dukje se kufizimet e shtypit janë përkeqësuar përgjatë periudhës së pandemisë.

Në Wuhan, janë arrestuar të paktën 10 gazetarë dhe komentues në internet për raportim në lidhje me krizën e ardhur nga COVID-19.

Një nga ata, ish-avokatja Zhang Zhan, udhëtoi për në Wuhan në shkurt të vitit 2020 pasi lexoi një postim në internet nga një banor për jetën në qytet gjatë shpërthimit të pandemisë.

Kur mbërriti atje, ajo nisi të dokumentonte çka pa në rrugë dhe spitale me transmetime të drejtpërdrejta dhe shkrime.

Paçka kërcënimeve nga autoritetet.

Kështu, raportimet e saj u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale.

Më vonë, ajo u shpall fajtore për “provokimin e telasheve”.

Një akuzë kjo që zakonisht ngrihet kundër aktivistëve dhe denoncuesve, të cilët shihen si minim i përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar informacionin në vend.

Prej 42 faqesh, raporti rendit edhe faktin se si autoritetet kineze përdorën luftën kundër terrorizmit si pretekst për të arrestuar gazetarët ujgurë.

Zbulimi nuk është i rastësishëm pasi Kina ka qenë akuzuar për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, kundër atyre që i sheh si islamikë dhe separatistë në rajonin me shumicë ujgure.

Metoda të tjera të përdorura përfshinin përdorimin e misioneve diplomatike jashtë shtetit për të sulmuar gazetarët, bllokadat mediatike apo censurimin e temave.

Kjo duke i detyruar gazetarët vendas të studiojnë ideologjinë e Partisë Komuniste dhe të shkarkojnë një aplikacion propagandistik në telefonat e tyre.

Pa munguar as dëbimet ose shantazhet ndaj tyre.

Prej këtyre, RSF-ja e rendit Kinën në vendin e 177 nga 180 në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, vetëm dy vende mbi Korenë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore