Lajme

Kina, partnerja kryesore e BE-së në tregti


Kina tani është partneri më i madh tregtar i Bashkimit Evropian (BE), duke kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2020.

Tregtia midis Kinës dhe BE-së ishte me vlerë 709 miliardë dollarë (586 miliardë euro, 511 miliardë paund) vitin e kaluar, ndërsa SHBA-ja ka arritur shifrën 671 miliardë dollarë importe dhe eksporte.

Megjithëse ekonomia e Kinës është tkurrur në tremujorin e parë për shkak të pandemisë, rimëkëmbja e saj ekonomike më vonë gjatë vitit nxiti kërkesën për mallrat e BE-së.

Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe globale që pa rritje në vitin 2020, duke nxitur kërkesën për makina nga Evropa dhe mallra luksoze.

Ndërkohë, eksportet e Kinës në Evropë përfituan nga kërkesa e fortë për pajisje mjekësore dhe elektronike.

Import-eksportet sipas Eurostat-it

Sipas Eurostat-it, zyrës së statistikave të Bashkimit Evropian, në vitin 2020 Kina ishte partneri kryesor për BE-në. Ky rezultat erdhi si shkak i rritjes së importeve me 5.6% dhe eksporteve me 2.2%. Deficiti tregtar i BE-së me Kinën gjithashtu u rrit nga 199 miliardë dollarë në 219 miliardë dollarë.

Shifrat ishin të ngjashme me të dhënat zyrtare të Kinës të botuara në janar, të cilat treguan se tregtia me BE-në u rrit me 5.3% në 696.4 miliardë dollarë në 2020.

Megjithëse SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten tregjet më të mëdha të eksportit të BE-së, tregtia më të dy vendet ka rënë ndjeshëm.

Sipas statistikave, tregtia me Shtetet e Bashkuara regjistroi një rënie të konsiderueshme në importet me rënie 13,2% dhe rënie të  eksporteve me shifrën -8,2%.

Tregtia transatlantike është goditur nga një seri mosmarrëveshjesh që kanë rezultuar në tarifa për çelikun dhe produkte të tilla si konjak francez ose motorë amerikanë Harley-Davidson.

BE dhe Kina po bëjnë përpjekje në forcimin e lidhjeve tyre ekonomike, ku dy palët ratifikojnë një marrëveshje investimi e cila do ju japë kompanive evropiane qasje më të mirë në tregun kinez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore