Lajme

Kina ndëshkon 27 persona për ilustrimet “tragjikisht të shëmtuara” në tekstet e matematikës


Në Kinë, autoritetet kanë ndëshkuar 27 persona për botimin e një libri të matematikës që u bë viral për ilustrimet e tij “tragjikisht të shëmtuara”.

Prej muajsh, një hetim nga një grup pune i ministrisë kineze të Arsimit zbuloi se disa ilustrime ishin “mjaft të shëmtuara” dhe nuk “reflektonin siç duhet imazhin diellor të fëmijëve të Kinës”.

Librat e matematikës u botuan nga “People’s Education Press” thuajse 10 vjet më parë dhe thuhet se u përdorën në shkollat fillore në të gjithë vendin.

Por ata u bënë viralë në maj pasi një mësues publikoi foto të ilustrimeve, duke përfshirë njerëz me fytyra të shtrembëruara dhe pantallona të fryra, foto djemsh që kapnin fundet e vajzave dhe të një fëmije me një tatuazh në këmbë.

Shumë i kritikuan ilustrimet, madje duke spekuluar se ishin punë e qëllimshme e infiltruesve perëndimorë në sektorin e arsimit.

Kjo i vendosi në punë autoritetet e vendit për një rishikim të të gjithë teksteve shkollore “për të siguruar që tekstet t’i përmbahen drejtimit të duhur politik dhe orientimit të vlerave”.

Ata kanë thënë se 27 individë u zbuluan se kishin “neglizhuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre” dhe u ndëshkuan.

Kryeredaktori dhe redaktori i departamentit të matematikës u pushuan nga detyra.

Referuar deklaratës, ilustruesit dhe dizajnerët “u trajtuan në përputhje me rrethanat”. Ata dhe studiot e tyre nuk do të angazhohen më për të punuar në hartimin e teksteve shkollore ose punë të ngjashme.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore