Lajme

Kina ndalon importin britanik të lopëve, shkak sëmundja e lopës së çmendur


Në Kinë janë ndaluar importet britanike të lopëve nën 30 muaj, pas një rasti të encefalopatisë spongiforme të gjedhit (BSE), ose sëmundjes së lopës së çmendur, në Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar.

Referuar një deklarate nga Administrata e Përgjithshme e Doganave, ky ndalim ka hyrë në fuqi nga 29 shtatori.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se në shtator, Agjencia e Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve në Mbretërinë e Bashkuar (APHA) ka njoftuar se, në një fermë në Somerset, ishte konfirmuar një rast i BSE-së.

Në vitin 2018, Kina i dha fund një ndalimi dy-dekadësh të importit të viçit nga Mbretëria e Bashkuar, i cili u prezantua për herë të parë pas shpërthimit të BSE-së në vitet 1990.

Asokohe, qeveria britanike njoftoi se heqja e ndalimit do të ishte me vlerë 250 milionë paund për prodhuesit britanikë gjatë pesë viteve të ardhshme.

Sipas “BBC”, ndalimi ka ardhur pas viteve të inspektimeve dhe negociatave në terren midis zyrtarëve në Londër dhe Pekin.

Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale ka zbuluar se po punonte për të siguruar autoritetet kineze se rasti ishte menaxhuar me sukses dhe se kushtet e importit mund të përmbushen.

Christine Middlemiss, shefja veterinare në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se “ne kemi disa nga nivelet më të larta të biosigurisë në botë, të cilat mbështeten nga sisteme të fuqishme kontrolli. Produktet tona janë të sigurta dhe duhet të vazhdojnë të tregtohen”.

“BBC” tregon se, në shtator të këtij viti, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se po heqin ndalimin prej dekadash për importin e qengjit britanik.

Vendi i kishte ndaluar importin e qengjit britanik që nga viti 1989, pas shpërthimeve të para të BSE-së.

Jo më larg se vitin e kaluar, eksportet e viçit britanik në SHBA rifilluan për herë të parë në më shumë se 20 vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore