Aplikacione

Kina miraton ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale


Në Kinë, Kongresi Kombëtar Popullor ka miratuar një ligj të krijuar për të mbrojtur privatësinë e të dhënave të përdoruesve në internet dhe ka njoftuar se do ta zbatojë politikën e re nga 1 nëntori.

Kështu ka bërë me dije media shtetërore kineze, Xinhua.

Miratimi i këtij ligji nga Kongresi hedh një tjetër bazë në përpjekjet e vendit për të rregulluar hapësirën kibernetike dhe pritet të shtojë më shumë kërkesa të pajtueshmërisë për kompanitë në vend.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Kina ka udhëzuar kompanitë e veta të teknologjisë që të sigurojnë ruajtje më të mirë të të dhënave të përdoruesve. Kjo mes ankesave të publikut për keqmenaxhim dhe keqpërdorim, të cilat kanë rezultuar në shkelje të privatësisë së përdoruesit.

Referuar ligjit, trajtimi i informacionit personal duhet të ketë qëllim të qartë dhe të arsyeshëm dhe do të kufizohet në “fushën minimale të nevojshme për të arritur qëllimet e trajtimit” të të dhënave.

Gjithashtu përcakton kushtet për të cilat kompanitë mund të mbledhin të dhëna personale, përfshirë marrjen e pëlqimit të një individi, si dhe përcaktimin e udhëzimeve për të siguruar mbrojtjen e të dhënave kur të dhënat transferohen jashtë vendit.

Më tej, ligji bën thirrje që mbajtësit e informacionit personal të caktojnë një individ përgjegjës për mbrojtjen e informacionit personal dhe që mbajtësit të kryejnë auditime periodike për të siguruar pajtueshmërinë me ligjin.

Drafti i dytë i ligjit për mbrojtjen e informacionit personal u publikua publikisht në fund të prillit.

Sipas “Reuters”, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal, së bashku me Ligjin për Sigurinë e të Dhënave, shënojnë dy rregullore kryesore të vendosura për të qeverisur internetin e Kinës në të ardhmen.

Ligji për Sigurinë e të Dhënave, që do të zbatohet më 1 shtator, përcakton një kornizë për kompanitë që të klasifikojnë të dhënat bazuar në vlerën ekonomike dhe rëndësinë e sigurisë kombëtare të Kinës.

Kurse Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal, kujton GDPR-në e Evropës në përcaktimin e një kuadri për të siguruar privatësinë e përdoruesit.

Të dy së bashku do të kërkojnë që kompanitë në Kinë të shqyrtojnë praktikat e tyre të ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave për të siguruar që ato janë në përputhje.

Kompanitë e tronditura

Mirëpo, ligjet vijnë në mes të një shtrëngimi më të gjerë rregullator në industri nga mbikëqyrësit kinezë, të cilët kanë tronditur kompanitë e mëdha dhe të vogla.

Në korrik, Administrata Kineze e Hapësirës Kibernetike të Kinës (CAC), rregullatori kryesor i hapësirës kibernetike kineze, njoftoi se do të niste një hetim ndaj gjigantit kinez, Didi Global Inc, për dyshimin e shkeljes së privatësisë së përdoruesit.

Jo më larg se të martën e 17 gushtit, Administrata Shtetërore e Kinës për Rregullimin e Tregut (SAMR) miratoi një grup rregullash gjithëpërfshirëse që synojnë përmirësimin e konkurrencës së ndershme, duke ndaluar praktika të tilla si rishikimet e rreme në internet.

Në janar, Shoqata e Konsumatorëve të Kinës e mbështetur nga qeveria lëshoi ​​një deklaratë duke kritikuar kompanitë e teknologjisë për “ngacmimin” e konsumatorëve për të bërë blerje dhe promovime.

Prej asaj kohe, rregullatorët kanë qortuar në mënyrë rutinore kompanitë dhe aplikacionet për shkeljen e privatësisë së përdoruesit.

Kurse të mërkurën e 18 gushtit, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit akuzoi 43 aplikacione për transferim të paligjshëm të të dhënave të përdoruesve dhe u bëri thirrje atyre të bëjnë korrigjime para 24 gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore