Biznes

Kina kalon SHBA-në për investimet e huaja direkte


Kina ka kaluar SHBA-në si shteti që ka tërhequr investimet më të mëdha të huaja direkte në vitin 2020.

Ky vit u karakterizua nga rënie e investimeve me 42% si pasojë e pandemisë. Investimet e huaja pësuan rënie në 859 miliardë dollarë nga 1.5 trilionë dollarë në 2019.

Ky ishte niveli më i ulët që nga 1990 dhe 30% nën nivelin e investimeve që pasuan krizën financiare globale 2008-09.

Pavarësisht këtyre luhatjeve, Kina pësoi rritje me 4%, duke arritur të tërhiqte 163 miliardë dollarë investime të huaja.

Një rritje në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe një program lehtësues për investimet ndihmuan në stabilizimin e investimeve në Kinë.

Midis sektorëve të ndryshëm ekonomikë, industritë e teknologjisë së lartë pësuan një rritje të investimeve të huaja me 11% në 2020.

Sektori i shkrirjeve të kompanive pësoi rritje investimesh me 54%, kryesisht në teknologjinë e informacionit, komunikimit dhe industritë farmaceutike.

Investimet në Amerikën e Veriut pësuan rënie me 46% në 166 miliardë dollarë. Në SHBA, investimet e huaja ranë me 49% në 134 miliardë dollarë në vitin 2020.

Evropa u shoqërua me flukse rënëse, duke arritur në 4 miliardë dollarë investime. Në Mbretërinë e Bashkuar, investimet e huaja ranë në zero. Një rënie në investime u regjistruaa në shtetet e tjera të mëdha në Evropë. Australia pësoi gjithashtu rënie, ndryshe nga Izraeli, ku investimet e huaja u ngritën.

Sipas analistëve, investimet e huaja direkte pritet të mbeten të dobëta në 2021 për shkak të pasigurisë mbi zhvillimet e pandemisë.

Efektet e pandemisë do të zgjasin në ekonomi. Kjo do të detyrojë investitorët të reduktojnë investimin e kapitalit për aktive të reja prodhuese jashtë shtetit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore