Lajme

Kina josh punëkërkuesit e diplomuar në spiunazhin digjital


Në Kinë, studentët e universiteteve janë joshur për të punuar në një kompani të fshehtë teknologjike, e cila në fakt maskonte natyrën e vërtetë të punës së tyre.

Në fakt ishte kërkimi mbi objektivat perëndimore për spiunim dhe përkthimin e dokumenteve të hakuara, si pjesë e regjimit të inteligjencës në shkallë industriale të Pekinit.

Janë identifikuar dhe kontaktuar nga “Financial Times” 140 përkthyes të mundshëm, kryesisht të sapodiplomuar, që kanë studiuar anglisht në universitetet publike në Hainan, Sichuan dhe Xi’an.

Këta studentë u ishin përgjigjur shpalljeve të punës në Hainan Xiandun, kompani që ndodhej në ishullin jugor tropikal të Hainan-it.

Procesi i aplikimit përfshinte teste përkthimi në dokumente të ndjeshme të marra nga agjencitë qeveritare të SHBA-ve dhe udhëzime për individët hulumtues në Universitetin “Johns Hopkins”, objektiv kyç i inteligjencës.

Një padi federale e vitit 2021 në SHBA ka pretenduar se Hainan Xiandun ka qenë mbulesë për grupin kinez të hakerave të quajtur APT40.

Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë akuzuar APT40 për infiltrim në agjenci qeveritare, kompani dhe universitete në SHBA-të, Kanada, Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Të gjitha nën urdhrat e Ministrisë Kineze të Sigurisë së Shtetit.

Të diplomuarit kinezë, të shënjestruar nga Hainan Xiandun, duket se janë tërhequr pa vetëdije në një jetë spiunazhi.

Reklamat e punës nga kompania u postuan në faqet e internetit të universiteteve për përkthyes pa shpjegime të mëtejshme për natyrën e punës.

Por kjo mund të ketë pasoja për gjithë jetën e tyre, pasi individët e identifikuar ka të ngjarë të përballen me vështirësi për të jetuar dhe punuar në vendet perëndimore, motiv kyç për shumë studentë që studiojnë gjuhë të huaja.

“Financial Times” ka kontaktuar me të gjithë 140 individët në një listë të zbuluar të kandidatëve të përpiluar nga zyrtarë të sigurisë në rajon.

Disa nga të kontaktuarit fillimisht e kanë konfirmuar identitetin e tyre, por i kanë dhënë fund telefonatës kur janë pyetur për lidhjet e tyre me Hainan Xiandun.

Aplikimet e tyre ofrojnë njohuri mbi taktikat e APT40, i njohur për shënjestrimin e institucioneve kërkimore biomjekësore, robotike dhe detare, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të fituar njohuri mbi strategjinë industriale perëndimore dhe për të vjedhur të dhëna të ndjeshme.

Hakerimi në atë shkallë kërkon një fuqi punëtore të madhe të folësve anglezë, të cilët mund të ndihmojnë në identifikimin e objektivave të hakerrimit.

Po ashtu, edhe të teknikëve kibernetikë që mund të hyjnë në sistemet e kundërshtarëve dhe oficerëve të inteligjencës për të analizuar materialin e vjedhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore